PDK-ja propozon krijimin e dy komisioneve hetimore, njërën për rastin e Gani Jakupit e tjetrën për zhdukjen e mostrave të Deharit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kanë propozuar që në seancën e së enjtes të themelohen dy komisione hetimore parlamentare, për dy çështje të ndara.
Tahiri ka bërë me dije se do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor për punësimin e konsulentit, Gani Jakupi, që në nëntor të vitit të kaluar është bërë kryetemë për shkak të pagesës prej 7 500 eurosh në muaj.
Bazuar në kontratën e Jakupit, të angazhuar si konsulent i jashtëm për ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ai është angazhuar për të rritur mundësitë e depërtimit të Kosovës te shtetet që s’e kanë njohur pavarësinë dhe për të ofruar konsulencë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore. Për një vit sa është kohëzgjatja e kontratës, Jakupi do të paguhet 90 mijë euro.
“Sot diskutuam për seancën e radhës që do të mbahet ditën e enjte dhe për agjendën e saj që si grup parlamentar i PDK-së ja kemi propozuar Kryesisë themelimin e dy komisioneve hetimore. Njërin për hetim parlamentar në kuadër të MPJD-së pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik po ashtu mediet kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë. Kemi raste të tjera për persona që janë të punësuar si Gani Jakupi”, theksoi Tahiri.
Opozita pati kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla, ndërsa vetë ministrja e pati quajtur modeste pagesën mujore për Jakupin.
Tahiri ka thënë se komision hetimor kanë kërkuar edhe për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Çështja tjetër është çështja e komisionit hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në IML dhe si grup parlamentar e kemi denoncuar dy herë zjarrvëniet në Institutin e Mjekësisë Ligjore” ka thënë Tahiri, duke shtruar se se qëndrimi i PDK-së për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbetet i njëjtë.
“Marrëveshjet ndërkombëtare janë vendosur në kuadër të kësaj seance, tash kemi paralajmërime të tjera nga ambasadori amerikan që Kosova mund të përballet me pasoja më të rënda në skenën ndërkombëtare. S’ka ndryshuar asgjë që PDK-ja t’i votojë këto marrëveshje ndërkombëtare. Vendi ynë veçse po e thellon krizën me vendet ndërkombëtare dhe aleatët tanë, jemi nën masa sanksionuese”, ka thënë Tahiri.