PDK-ja: Qeveria, 50 milionë euro për zyrtarët politikë, 73 milionë më pak për qytetarët
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra në një konferencë për media, ka thënë se rishikimi i buxhetit nuk i plotëson nevojat e qytetarëve dhe nuk parasheh rimëkëmbje ekonomike.
Deliu-Kodra ka thënë se me rishikim të buxhetit partia në pushtet po diskriminon komunat në të cilat nuk qeverisë Vetëvendosja.
“Arsyeja pse e kemi ftuar konferencën është rishikimi i buxhetit që kaloi sot partia në pushtet, ky buxhet nuk adreson shqetësimet e qytetarëve të Kosovës dhe as ato pika të partisë në pushtet dhe s’ka një plan për rimëkëmbje ekonomike. Ne edhe sot e kemi thënë se nuk kemi parë bashkëpunim të partisë në pushtet. Ne kemi parë që ka një diskriminim të komunave ku nuk qeverisë LV-ja dhe vërehet një diskriminim i veçantë dhe të destinohet për fushatën zgjedhore, dhe po rritet borxhi publik si dhe një tendencë për keqpërdorimin e parasë publike”,
“Sot qeveria ndau 50 milionë euro për zyrtarët politikë të saj dhe 73 milionë më pak për qytetarët. Mashtrimi nuk është ndryshe”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo ka thënë se për shkak të këtyre ndryshimeve buxhetore, PDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“PDK-ja si rezultat i këtyre shqetësimeve për shkak të faktit se qeveria ndan mjete për luksin e saj ne si PDK nuk do të marrim pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërsa deputeti tjetër i PDK-së, Fadil Nura, ka thënë se do ta rishikojnë vazhdimisht buxhetin që mos të bie në duart e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“PDK-ja do ta monitorojnë këtë buxhet dhe nuk do të lejojmë që të bie në duar të zëvendësministrit Durmishi”, ka thënë Nura.