PDK-ja realizoi projekte të mëdha, por do të mbahet mend për gjëra të vogla
Ahmet Jashari
Parimi fetar se nëse bën një të keqe, atëherë bëje një të mirë për ta mbuluar atë, nuk vlen në politikë. Madje, në politikë mjafton vetëm një e keqe që ta zhbëj krejt të mirën. Këtë e dëshmon rrugëtimi politik i PDK-së, që ka nisur me projekte të mëdha dhe ka përfunduar tashmë në opozitë me damkën e së keqes.
Askush nuk mund ta mohojë atë që e thonë drejtuesit e PDK-së se të gjitha proceset që lidhen me shtetndërtimin e Republikës së Kosovës që 20 vjet e këndej mbajnë vulën e lidershipit të kësaj partie. Konferenca e Rambujesë është drejtuar nga liderët e UÇK-së që u bënë liderë të PDK-së. Në procesin e Vjenës të drejtuar nga presidenti, Marti Ahtisari, që rezultoi me pavarësinë e Kosovës, PDK-ja tregoi një pjekuri të jashtëzakonshme duke e dhënë kontributin e vet nga opozita.
Vetëm disa muaj pasi erdhi në pushtet, lideri i atëhershëm i PDK-së, Hashim Thaçi, shpalli Pavarësinë e Kosovës, duke hyrë në histori. Pasuan mandej projektet e mëdha si autostradat, objektet shkollore, infrastruktura në përgjithësi, pagat etj, të cilat po ashtu mbajnë vulën e PDK-së. Me një fjalë Kosova u bë e pavarur dhe mori pamjen e një shteti normal. Këto momente madhështie në rrugëtimin e kësaj partie, i verbuan të fortët e PDK-së. Ata u shkëputën nga qytetarët e rëndomtë, shumë prej tyre u pasuruan, u tjetërsuan.
Nuk ishin më ata të zakonshmit. Pjesa tjetër e qytetarëve për ta dukej e vogël, e pafuqishme. Ata kishin rroba të shtrenjta, vetura luksoze dhe sjellje jonormale. Nuk ishin më ata djemtë e fshatit që ndanin një copë bukë. Nuk ishin më ata luftëtaret e UÇK-së që mbronin njëri-tjetrin dhe vendin e tyre me trupat e tyre. Nuk ju pëlqente më shoqëria e vjetër. Kërkonin diçka të re. Ju pëlqenin të tjerët, ndonjëherë edhe ata që kishin qenë më afër pushtuesit se popullit të vet. Degradoi gjithçka. Nuk dihej më se kush ishte luftëtari, patrioti apo tradhtari i vërtetë. E gjithë kjo i hapi rrugën së keqes, që u derdh në shoqërinë tonë me gjithë vrullin e vet. Nuk kishte mbetur asnjë vlerë që mund t’i referohej dikush apo që do të pranohej si e tillë nga të gjithë. Figurat kombëtare më shumë u abuzuan sesa u nderuan dhe respektuan.
Po ashtu u veprua edhe me familjarët e tyre. U ngritën shtatore në gjithë vendin, pa kritere e shumë herë me forcë. U bënë heronj të gjithë dhe veteranë të gjithë. Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, lufta dhe sakrifica e të cilit trandi një botë të tërë, për 12 vjet në pushtet nuk e morën me vete Adem Jasharin në Prishtinë. Adem Jashari tani është në Tiranë, ai është gjithkund ku ka shqiptarë dhe njerëz që e respektojnë sakrificën për liri. Por ai nuk është në kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Adem Jashari gjithsesi do të vije në Prishtinë, por duket se nuk do t’i gjej aty ata që dikur kishin ndjekur rrugën e tij. Të paktën edhe nëse i gjen ata do të jenë të tjetërsuar.
Nëse ndahesh prej shokëve tjetërsohesh. Ata e kanë bërë një gjë të tillë, prandaj kanë dalë në opozitë me damkën e së keqes. Nuk përmenden më sot projektet e mëdha, por problemet ditore, si: papunësia, korrupsioni etj. PDK-ja realizoi projekte të mëdha, por do të mbahet mend për gjëra të vogla. Nevojat dhe kërkesat e qytetarëve kanë ndërruar dhe ata nuk kanë ditur të përshtaten. Qytetarët kanë bërë një zgjedhje tjetër, megjithëse të pasigurt. Më tepër kanë preferuar të panjohurën sesa të njohurën që ka degraduar.