PDK-ja rikonfirmon qëndrimin e Veselit: Qëndrojmë në opozitë
Partia e Kadri Veselit sot po mban mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra e ka konfirmuar se do të takohen anëtarët e organit më të lartë partiak.
Një zyrtar i PDK-së ka treguar për “Express” se kjo parti nuk do të jetë pjesë e pozitës.
“PDK në asnjë variant nuk bëhet pjese e pozitës. Fton partitë qe te mos bllokojnë vendin por t’i themelojnë institucionet”, ka thënë zyrtari i PDK-së.
Po ashtu, ai ka treguar se sot do të zgjedhet kryesia e re e partisë. “Sot do të emërohen edhe anëtarët e Kryesisë dhe Nënkryetarët”, ka thënë ai.
Kadri Veseli i ka mbushur gjashtë muaj si udhëheqës i PDK-së në mandatin e dytë pa e kompletuar pjesën tjetër të Partisë. Ende s’i ka caktuar anëtarët e Kryesisë dhe as nënkryetarët.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se në këtë takim mund të flitet edhe tema emërimit të udhëheqjes tjetër të partisë dhe tema të tjera.
“Ne zakonisht i mbajmë për fundvit gjithmonë takimet e Këshillit Drejtues. Është një prej mbledhjeve ku do të diskutohet edhe aktualiteti politik, por nuk është e sigurt nëse do të zgjedhet sot kryesia ose jo. Nuk e kemi ende të definuar nëse do të arrihet të përmbyllës sot ose jo”.
“Do të ketë diskutime rreth agjendave të fundit dhe natyrisht takim përmbyllës i partisë. Natyrisht janë çështje të strukturës tonë organizative, e kemi përmbyllë procesin zgjedhor deri në kryesi. Me e pa gjendjen e përgjithshme ku jemi, po ashtu me e pa mundësinë për reformat të cilat i bëjmë çdo ditë”, ka thënë Deliu-Kodra.
PDK-ja prej pasluftës ka qenë në pushtet në shumicën e kohës, me përjashtim të viteve 2004-2007, kur bashkëqeversnin LDK-ja me AAK-në.
Kjo parti ka pasur katër herë pozitën e kryeministrit, tri herë Hashim Thaçin përfshirë Qeverinë e përkohshme dhe një herë Bajram Rexhepin.
Kadri Veseli, ish-shef i SHIK-ut, ka marrë pozitën e kryetarit të PDK-së më 2016, kur Hashim Thaçi ishte bërë president.
Aktualisht është partia e tretë pas Vetëvendosjes dhe LDK-së. Në ditën e zgjedhjeve, Veseli ka thënë a se shkojnë në opozitë pasi kanë humbur zgjedhjet.
LV-ja dhe LDK-ja kauzë zgjedhore e kanë pasur ta çojnë në opozitë PDK-në dhe kanë thënë se s’bëjnë koalicion me këtë parti.
PDK-ja edhe në nivel lokal është partia e tretë sa i përket udhëheqjes së komunave. Drejton Drenasin, Kaçanikun, Shtimen, Ferizajn, dhe Dragashin.
PDK është themeluar pas përfundimit të luftës ndërsa themeluesit kryesorë ishin edhe udhëheqës të luftës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Një pjesë e madhe e udhëheqjes aktuale dhe ish-prijës të kësaj partie janë ftuar në cilësi të të dyshuarve nga Gjykata Speciale në mesin e të cilëve edhe Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Sylejman Selimi, Azem Syla etj.