PDK-ja shkëput koalicionin me LVV-në në Podujevë

07 korrik 2023 | 18:02

Pas prishjes së koalicionit në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës e ka shkëputur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendojse edhe në Komunën e Podujevës.

Përmes një njoftimi në Facebook, PDK ka bërë të ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie.

“Këto vendime vijnë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike e Kosovës, ku u vendos që të shkëputet çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurtin dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, të mbajtur më 3 korrik, pasi është diskutuar gjatë për situatën në vend dhe sanksionet që tashmë po i vuajnë shteti dhe qytetarët tanë, ishte dakordim i përgjithshëm se Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke shkatërruar çdo të arritur në Kosovë të këtyre dy dekadave dhe janë duke e dërguar vendin drejt konfrontimit me aleatët që kanë qenë mbështetësit kryesor të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

PDK ditë më parë mori vendim për shkëputje të koalicionit qeverisës edhe në Komunën e Gjilanit.

“Pas prishjes së koalicionit ditë më parë në Komunën e Gjilanit, sot, PDK ka shkëputur koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosjen edhe në Komunën e Podujevës.

PDK falënderon të gjithë përfaqësuesit dhe zyrtarët e saj në komunat e Podujevës dhe Gjilanit, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe i kanë shërbyer me dinjitet, profesionalizëm dhe vullnet komunave dhe qytetarëve, shërbim të cilin do ta vazhdojnë me përkushtim edhe nga pozicioni opozitar”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbështetur në detyrat dhe autorizimet e policisë të parapara me…