PDK-ja shpreh keqardhje për incidentin me aktivistë të shoqërisë civile

17 qershor 2019 | 17:48

Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka dhënë një sqarim për aksionin e disa aktivistëve të shoqërisë civile brenda oborrit të selisë qendrore të kësaj partie.

Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka shprehur keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.

“Pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile. Partia Demokratike e Kosovës dëshiron të theksoj së ky është një rast i izoluar dhe nuk përkon më frymën dhe vlerat e saj”, është thënë në komunikatën e PDK-së, duke shtuar se kjo parti beson dhe promovon të drejtën thelbësore të demokracisë, atë të protestës dhe reagimit qytetar.

“Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së i ka takuar javën e kaluar përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për financimin e partive politike. Sigurisht që shqetësimet e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, nga ana e Kuvendit të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës sikur në të kaluarën, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe i sheh ato si partnere në rrugëtimin e përbashkët të shtetndërtimit”, është thënë në komunikatën e PDK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kushtrim Gashi nuk do të jetë pjesë e skuadrës së…