PDK: Kryeministri Kurti u dorëzua para Beogradit në veri

05 prill 2020 | 19:12

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dënon deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, si dhe zëvendësit të tij, Haki Abazi për situatën në veri të vendit.

“Kryeministri, duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë. Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.  Në një video-mesazh për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë “ dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre “ Kryeministri po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit. Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas këtij reagimi, deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhëtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova. “Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë.

PDK konsideron se qeveria e shkarkuar po vazhdon të tallet me qytetarët, dhe veçmas me banorët shqiptarë të ngujuar e të frikësuar në veri të vendit. PDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj politik e institucional për ta ndalë degradimin e mëtejshëm të kësaj qeverie në ikje që po shkon në dëm të shtetit dhe, në veçanti, të pjesës veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 100 mjekë nga Serbia raportohet se janë dërguar në…