PDK në Fushë Kosovë: Komuna nuk e ka ndarë asnjë cent për ujin e pijshëm
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Fushë Kosovë, përmes një komunikate për media ka akuzuar Kryetarin e kësaj komune se nuk e ka ndarë asnjë cent për ujin e pijshëm.
“Dje kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, pa fije turpi, doli të përurojë furnizimin me ujë të Fushë Kosovës, një projekt ky i realizuar kryekëput nga KUR “Prishtina”, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës dhe Qeveria Gjermane”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, komuna nuk e ka ndarë asnjë cent të vetëm e as nuk ka bërë mund për këtë projekt i cili është duke e furnizuar me ujë vetëm qytetin e Fushë Kosovës, por jo edhe fshatrat e kësaj komune.
“Fushë Kosova, në fakt, nuk e ka të zgjidhur tash e njëzet vite problemin me ujë. Shtëpia e kryetarit në Sllatinë është e vetmja shtëpi në krejt fshatrat e Fushë Kosovës që e ka të siguruar ujin e pijes. Problemi i ujit në Fushë Kosovë do të vazhdojë të jetë pjesërisht i zgjidhur, derisa të ketë ujë nga sistemi i tillë edhe për vendbanimet tjera të kësaj komune”.
“Kryetari Burim Berisha, i cili e ka rehatuar krejt familjen nëpër institucionet shtetërore dhe sipas të dhënave të deklaruara është shumë i pasur, nuk është marrë asnjëherë seriozisht me këtë çështje kaq jetike për qytetarët.
“Ai pa u turpëruar e me plot fodullëk, gjatë ditës së djeshme, u përpoq t’i lërë një pjesë të meritave edhe komunës për ujin, e që siç kemi thënë, është meritë e KUR “Prishtina”, Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Gjermane”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, gjatë ditës së djeshme do të duhej t’u kërkonte falje banorëve dhe duhet të japë llogari para qytetarëve për vonimin e projektit të furnizimit me ujë.
Tutje në njoftim thuhet se komunës së Fushë Kosovës nuk i duhet një kryetar për të prerë shirita, por një kryetar që zgjidhë problemet e qytetarëve.