PDK pranon ftesën e Kurtit, Avdullahu: Po shkojmë të flasim për mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në darkën e punës të ftuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti. Pjesëmarrës, do të jetë kreu i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi.
Faton Abdullau, zëdhënës i partisë, në një përgjigje për “Epoken e re”, ka konfirmuar ftesën dhe pjesëmarrjen për të hënën.
”Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim.” – ka thënë ai.
Tutje, Abdullahu është shprehur se Krasniqi shkon në këtë takim për të diskutuar rreth mundësisë së caktimit të datës për zgjedhje të reja.
”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.” – u shpreh zëdhënësi i PDK-së.
Kujtojmë se para gati një viti, pas vendosjes së masave ndëshkuese nga partnerët ndërkombëtarë ndaj Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës kishte miratuar një deklaratë 10 pikëshe.
Mes tjerash, aty PDK-ja theksonte se do të pezullojë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, përveç në situata emergjente, kjo si për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.
“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë cdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përvec në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës.” – thuhej në këtë pikë.