
PDK pret në takim drejtuesit e OVL-UÇK-së, thekson mbështetjen e plotë në kërkesat e tyre
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim drejtues të OVL të UÇK-së.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se folën për sfidat me të cilat përballen kategoritë e dala nga lufta.
“Sot, bashkë me anëtarët e Kryesisë, Jakup Nura dhe Rrahman Rama, pata kënaqësinë të pres në takim drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të prirë nga kryetari Hysni Gucati.
Diskutuam hapur për sfidat me të cilat përballen sot kategoritë e dala nga lufta dhe theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për të mbrojtur dhe forcuar vlerat e luftës sonë çlirimtare” – ka thënë ai.
Tutje, Krasniqi shtoi se ua shprehu mbështetjen e plotë të PDK-së në kërkesat e tyre.
“Ua shpreha mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës për kërkesat e tyre, duke i vlerësuar si legjitime e të drejta, dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të kategorive të dala nga lufta.
PDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia politike e luftëtarëve të lirisë!” – ka thënë kreu i PDK-së.