PDK rikthehet në Suedi, formohet dega e re me kryetar Valon Kryeziu
Partia Demokratike e Kosovës, në kuadër të riaktivizimit të strukturave të saj në diasporë, të dielën ka firmuar Degën në Suedi.
Në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së në Suedi ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i Departamentit të Diasporës në PDK, deputeti Elmi Reçica.
Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të rritet në Diasporë.
“Sot, në Malmö të Suedisë është mbajtur Kuvendi zgjedhor i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës për këtë shtet. Me këtë rast, Kryetar i Degës u zgjodh, Valon Kryeziu, ndërsa Nënkryetar Hisret Kyçyku. Poashtu u votua për Këshillin e Degës dhe Kryesinë, të cilët bashkërisht do ta fuqizojnë PDK-në në Diasporë”, ka shkruar Reçica.
Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me themelimin e Degëve të reja dhe fuqizimin e saj në Diasporë, me qëllim të krijimit të mundësive që Diaspora të jetë sa më prezent në jetën politike, për të kontribuar me potencialin e saj në zhvillimin e vendit përmes resurseve humane apo edhe të kapitalit.