PDK-së i largohen dy asamblistë në Malishevë
Në mbledhjen e pestë të rregullt të Kuvendit të Komunal të Komunës së Malishevës, dy anëtarë të këtij institucioni nga radhët e PDK-së, Kastriot Berisha dhe Florentina Zulfaj, kanë bërë me dije se janë tërhequr nga grupi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Malishevës dhe do të veprojnë të pavarur brenda Kuvendit të Komunës së Malishevës.
“Unë Kastriot Berisha si më i votuari në zgjedhjet e fundit nga radhët e PDK-së dhe Florentina Zulfaj, si femra më e votuar në grupin e anëtarëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Malishevës, deklarojmë se tërhiqemi nga të qenit pjesë e grupit të PDK-së dhe do të vazhdojmë të veprojmë të pavarur brenda Kuvendit të Komunës së Malishevës. Për arsyet e këtij veprimi opinioni do të njoftohet me kohë, përmes rrjeteve sociale”, ka deklaruar Kastriot Berisha, anëtar i Kuvendit Komunal të Malishevës.
Pas këtij deklarimi, Zulfaj e Berisha, i kanë ndërruar edhe ulëset në Kuvend, duke u ulur prapa ulëseve të pjesës tjetër të anëtarëve të PDK-së.
PDK-ja në Malishevë në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar nëntë ulëse në Kuvendin e Komunës, duke dalë partia e dytë me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
/Epoka e re/