PDK: Siguria kombëtare po cenohet nga mungesa e sigurisë personale për gratë dhe vajzat
Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i tretë i diskutimit me temën “Gratë, Siguria dhe Drejtësia”.
Në këtë panel, i cili u moderua nga Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në KQM, Besa Kabashi-Ramaj morën pjesë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deputeti Rashit Qalaj, Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Mitrovicës Valdete Idrizi, nënkryetare e Rinisë Demokratike në Ferizaj, Vanesa Sadriu dhe kryetarja e Degës së PDK-së në Obiliq, Enisa Haliti.
Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Besa Kabashi-Ramaj theksoi se Kosova aktualisht po përballet me mungesë të sigurisë përsonale për gratë dhe vajzat, pa të cilën cenohet edhe siguria kombëtare.
“PDK e sheh sigurinë kombëtare si një temë jashtëzakonisht të rëndësishme, e cila është temë e gjerë, që përfshin sigurinë shoqërore, njerëzore, brenda së cilës përbëhet edhe siguria personale. Kjo temë prek edhe emocionin tonë duke marrë parasysh që edhe ne kemi menduar për një kohë të gjatë që siguria publike qëndron shumë mirë në vendin tonë”, tha ajo.
Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Mitrovisës, Valdete Idrizi e vlerësoi konventën e Gruas Demokratike si shumë të rëndësishme jo vetëm për PDK-në, por për tërë shoqërinë kosovare.
“Jam jashtëzakonisht krenare që ne si PDK do ta realizojmë edhe më shpejtë se sa që kemi synuar duke parë tërë këtë vullnet dhe përgatitje të vajzave dhe grave, por edhe burrave që i kemi në parti, këtë 50-shin tjetër jam më se e sigurtë që kemi me ia dalë më shumë se kjo”, tha Idrizi.
Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se përmes pozicioneve të tij publike gjithmonë është munduar ta fuqizoj rolin e gruas në shoqëri, edhe përmes normave kur ka qenë e nevojshme.
“Pjesa ime si ish-ministër i drejtësisë dhe si njeri që është marrë me agjendën e sundimit të ligjit nuk është shumë ajo që njerëzit dëshirojnë ta dëgjojnë qoftë me punësimin, qoftë me promovimin. Fatkeqësisht më shumë jemi ballafaquar me sanksionim, normim dhe parandalim, qoftë të dhunës, sikur tash që po flasim për të drejtat pronësore, apo edhe dhunës në familje. Unë jam detyruar që në kuadër të Kodit Penal dhunën në familje ta trajtoj si vepër penale”, theksoi Tahiri.
Deputeti Rashit Qalaj tha se kriza ekonomike po ndikon në rritjen e dhunës në familje, kryesisht ndaj vajzave dhe grave.
“Kur ishte viti i pandemisë ka qenë botërisht e ditur që për shkak të mbylljes së popullatës ka qenë një rritje enorme e rasteve të raportimit të dhunës, mirëpo këtë vit ka të bëj më krizën, ka të bëj me menaxhimin e keq të krizës dhe varfëria, cështja e shportës, cështja e ekzistencës së popullatës ndikon edhe në rritjen e dhunës në familje”, theksoi Qalaj.
Kryetarja e Degës së PDK-së në Obiliq, Enisa Haliti kërkoi që gratë të përkrahen fillimisht në edukim, sepse përmes kësaj ato krijojnë të drejtën e punësimit.
“Qëndrueshmëria në bazë të komuniteteve që gratë zakonisht i kanë janë edhe sfida e sigurisë, edukimit dhe drejtësisë, mbi të gjitha trajtimi i barabartë në cdo instancë në shoqëri. Kur flasim për trajtim të barabartë, vlen të theksoj diskriminimin, pabarazinë dhe jotransparencën në përzgjedhjen në vendet e punës”, tha Haliti.
Nënkryetarja e Rinisë Demokratike në Ferizaj, Vanesa Sadriu tha se ideja e barazisë gjinore do të duhej të përqafohej në Kosovë qysh moti.
“Sido që të jetë jam e lumtur që PDK për herë të parë punon për platformën 50/50 për vajzat, gratë, djemtë dhe burrat në shtetin e Kosovës. Si e re, bashkë me të rinjtë e të rejat cdo ditë, natyrisht edhe me gratë kam parë probleme e sfida të llojllojshme që i kemi hasur në përditshmëri, që besoj që vetëm mobilizimi ynë i përbashkët i tejkalon ato sfida”, tha ajo.