PDK u bënë thirrje anëtarësisë dhe mbështetësve të saj që të kontribuojnë në fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të mbetet pa avokatin e tij kryesor Gregory Kehoe. Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi që janë pjesë e ekipit të Kehoe, të cilët po e mbrojnë në rastin e tij në Hagë, kanë paralajmëruar tërheqjen nga kjo detyrë. Në kontekst të këtyre zhvillimeve, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje ndaj institucioneve “që të luajnë një rol më proaktiv”. PDK gjithashtu u ka bërë thirrje anëtarësisë dhe mbështetësve të saj që të kontribuojnë në fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Në reagimin e PDK-së është theksuar rëndësia e mbrojtjes së ish-udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen në Hagë nën argumentin e obligimit “ligjor, shtetëror dhe shoqëror”.
“Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar në lidhje me informatat për vështirësitë financiare të ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi. PDK e kupton se në një situatë të ngjashme janë edhe ekipet mbrojtëse të të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, të cilët po mbrojnë luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Për PDK-në, mbrojtja e të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, pa dallim, nuk është çështje e interesit politik, por obligim ligjor, shtetëror dhe shoqëror.” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Partia më e madhe opozitare u ka bërë thirrje institucioneve të vendit të angazhohen në “rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët”.
“PDK kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të luajnë një rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët tanë.” – kanë deklaruar nga PDK.
PDK-ja ka ftuar anëtarët dhe simpatizantët që të kontribuojnë në fondet për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së ndodhen në Hagë
“PDK, po ashtu, fton të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e saj që të kontribuojnë, sipas mundësive të tyre, në fondet për mbrojtjen juridike të të gjithë çlirimtarëve të Kosovës të cilët janë në Hagë.” – thuhet në reagim.
Kujtojmë se Bedri Hama ishte i pari nga radhët e PDK-së që reagoi lidhur me tërheqjen e avokatit kryesor të Thaçit në mungesë të përmbushjes së obligimeve financiare. Në reagimin e tij, Kryetari i Komunës së Mitrovicës deklaroi dy ditë më parë se “është evidente” që tashmë mungon ndihma nga institucionet përkatëse të Kosovës për të akuzuarit, për çka shtoi se është duke e përcjellur me vëmendje.
Ai shtoi se Kosova ka buxhet të mjaftueshëm për ta mbuluar koston e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së dhe se kjo nuk paraqet “rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin”.
“Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes financiare dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin. Për më tepër e ritheksoj se e kemi obligim ligjor dhe moral ta mbrojmë të vërtetën e Lirisë së Kosovës, e t’ju dalim hakësh burrave të lirisë”, ka shkruar Hamza ndër të tjera.
Gregory Kehoe, avokati kryesor, së bashku me ekipen e tij, avokatët, Joe Reeder, Greenberg Legal Assocciates dhe anëtarë të kësaj kompanie, kanë parashtruar këtë mocion, pranë Dhomave të Specializuara për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre.
Nga ana tjetër, gjatë ditë së djeshme, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar situatën në lidhje me tërheqjen e avokatit kryesor të Thaçit Gregory Kehoe.
Sipas njoftimit, Ministira ka sqaruar se ka paguar mbi 3 milionë euro për mbrojtjen e tij. Por aty thuhet se MD paguan vetëm avokatët me të cilët ka marrëveshje, duke specifikuar se këto pagesa i janë bërë avokatit Luka Misetiq. Duke lënë të kuptohet se me Kehoe MD nuk ka marrëveshje.
Qëndrim nga Partia Demokratike nuk pati as pasi MD-ja ndryshoi Udhëzimiz paraprak Administrativ, Nr. 08/2022, duke hequr dy paragrafë në të cilat parashihej që “për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj.”