PDSH nga Presheva vizitoi Zyrën e Informimit të ShBA-së në Prishtinë më 1996
-Në vigjilje të 25-vjetorit të hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë më 1996
Shkruan: Nexhat Agushi
Për një dekadë rresht gjatë viteve të ’90-ta të shekullit 20, kontaktet dhe takimet e përfaqësuesve të partive politike shqiptare nga Presheva si të Partisë Demokratike Shqiptare ashtu edhe të Partisë për Veprim Demokratik me autoritetet e partive politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri pothuajse ishin bërë rutinore me qëllim të koordinimit të punëve dhe bashkëveprimit për çështjen e përbashkët kombëtare. Takime të tilla të shpeshta kishte edhe me veprimtarët që jetonin dhe punonin në shtetet e perëndimit sepse ata ishin njëra nga shtyllat kryesore të finansimit të aksioneve dhe aktiviteteve për çështjen kombëtare. Gjithashtu, gjatë pjesës së dytë të viteve të ’90-ta, pas përfundimit të luftrave në Kroaci dhe Bosne, kishte vazhduar të acarohej edhe më tepër situata politike dhe e sigurisë në Kosovë, kështu që edhe interesimi i faktorëve ndërkombëtarë ishte më i theksuar se ndonjëherë më parë. Përfaqësuesit e të dy partive politike si të PVD-së ashtu edhe të PDSH-së zhvillonin vazhdimisht aktivitete në dobi të çështjes kombëtare por jo edhe të unifikuar sa duhej të ishin sepse shpesh vepronin edhe veç e veç.
Sidoqoftë, në këtë rast po e përshkruaj njërën nga vizitat dhe takimet më të rëndësishme të asaj kohe mes përfaqësuesve të PDSH-së dhe përfaqësuesve të Zyrës së Informimit të SHBA-së në Prishtinë. Siç përmenda edhe më sipër se udhëheqësit e partive politike në Preshevë ishin shumë aktiv që nga themelimi i tyre por edhe më aktiv në ato rrethana kur faktorët ndërkombëtarë po interesoheshin jo vetëm për shqiptarët e Kosovës por edhe jashtë saj. Ndër më të angazhuarit politikisht në mesin e anëtarëve të kryesisë së ngushtë në PDSH ishte Tahir Dalipi i cili i koordinonte takimet me autoritetet e subjekteve tjera politike shqiptare në ish-Jugosllavi, në Shqipëri si dhe me autoritetet ndërkombëtare kudo që ndodheshin. Në pranverën e vitit 1996 u publikua lajmi në lidhje me hapjen e një zyre amerikane në Prishtinë, e cila quhej Zyra e Informimit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Information Office of the United States of America). Ai lajm na dha shpresë dhe kurajë për të vepruar edhe më me dëshirë sepse liria do të vinte jo vetëm në Kosovë por edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë si dhe në Maqedoni e Mal të Zi.
Me të kuptuar lajmin se amerikanët tani më ishin prezent edhe në kryeqendrën e Kosovës në Prishtinë, Tahir Dalipi – njëri ndër udhëheqësit më të lartë politik të PDSH-së, menjëherë kishte kontaktuar përfaqësuesit e Zyrës Amerikane dhe ishin dakorduar për një takim me njërin nga subjektet politike të shqiptarëve jashtë Kosove, e në këtë rast me PDSH-në e Preshevës. Atë kohë mbretëronte një interesim i lartë i amerikanëve për tu takuar edhe me autoritetet e shqiptarëve jashtë territorit të Kosovës. Pra, takimin e delegacionit të PDSH-së në përbërje të kryetarit Zeqirja Fazliu, nënkryetarit Migjen Sadiku dhe anëtarit të kryesisë Nexhat Agushi me përfaqësuesit e Zyrës së Informimit të SHBA-së në Prishtinë e kishte aranzhuar Tahir Dalipi dhe i cili takim u realizua më 12 korrik 1996.
Në atë takim zyrtar u pritëm nga stafi i Zyrës së Informimit të SHBA-së, respektivisht nga përfaqësuesi i Zyrës Amerikane Z. David Mease në lagjen “Dragodan” në Prishtinë. Temë diskutimi ishte çështja e përgjithshme politike e shqiptarëve në ish Jugosllavi e në veçanti zgjidhja e problemit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Aty diskutuam shumë çështje që kishin të bënin me diskriminimin që autoritetet serbe po i bënin shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në çdo sferë të jetës. Pra, patëm rastin të paraqitnim thuajse të gjitha padrejtësitë e organeve serbe ndaj shqiptarëve të rajonit tonë. Prezantuam me dokumente dhe fakte, si me harta, shkresa, letra, promemorie e deklarata politike të cilat iu kishin dërguar më parë edhe qendrave të vendosjes në Evropë e më gjerë. Domethënë, nga ana e delegacionit u diskutuan edhe mundësitë e realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vetëm në përbërje me Kosovën, pasiqë autoritetet serbe nuk po lejonin as edhe çfarëdo autonomie për shqiptarët e rajonit tonë.
Në vazhdim, me theks të veçantë, u diskutua edhe çështja e Referendumit të 1 dhe 2 Marsit 1992 dhe deklarimi i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për Autonomi territoriale politike me të drejtë bashkimi me Kosovë. Gjatë tërë bisedës në atë takim, amerikanët ishin shumë të interesuar të dinin edhe më tepër për referendumin e mbajtur dhe realizuar më 1 dhe 2 mars 1992. Ata donin të dinin se a po vepronim akoma në favor të referendumit ku shqiptarët e këtij rajoni ishin shprehur për autonomi territoriale politike me të drejtë bashkimi me Kosovë. Si rezultat i kësaj bisede në këtë takim të rëndësishëm, delegacioni i PDSH-së ia paraqiti thuajse të gjitha problemet e shqiptarëve të rajonit tonë shefit të Zyrës Amerikane në Prishtinë duke potencuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kurr nuk do të ndalen së kërkuari për bashkim apo ribashkim me pjesën integrale të shqiptarëve kudo që shtrihen trojet shqiptare. Prandaj, me të kuptuar të gjitha kërkesat dhe përkushtimin tonë, qysh edhe atëherë amerikanët na lanë përshtypje se do të bënin gjënë më të mirë për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi, kështu që, edhe ne u kthyem në Preshevë me shpresë të madhe për fatin e mirë të shqiptarëve.
Vlen të theksohet se delegacioni i PDSH-së nga Presheva ishte delegacioni i parë nga partitë politike jashtë Kosove që e vizitoi Zyrën e Informimit të SHBA-së në Prishtinë, e të cilin lajm e transmetuan radio dhe TV stacione të ndryshme vendore e ndërkombëtare si Zëri i Amerikës, DW, BBC e të tjera.
Gjithashtu, po atë ditë, delegacioni i PDSH-së vizitoi edhe ambientet e zyrës së LDK-së ku edhe takoi përfaqësuesit më të lartë të asaj kohe të LDK-së siç ishin Hydajet Hyseni, Fatmir Sejdiu, Xhemal Mustafa e të tjerë. Temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes subjekteve politike shqiptare si dhe mbajtja dhe ruajtja e raporteve të mira me autoritetet ndërkombëtare. Gjithashtu, u bisedua edhe mundësia e përfshirjes së kërkesave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në bisedimet eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetsues pa e dëmtuar çështjen e Kosovës. Kërkesat tona ishin reale dhe logjike për zgjidhjen e problemit të gjithë shqiptarëve pasiqë më kishte ndodhur shpërbërja e ish Jugosllavisë.
Pas këtyre takimeve në Prishtinë, kryesia e PDSH-së në Preshevë mbajti një mbledhje urgjente më 14.07.1996 dhe me këtë rast përgatiti dhe lëshoi në opinion një PROMEMORIE e cila iu dërgua me përkthim në gjuhën angleze disa ambasadave në Beograd, OSBE-së si dhe qendrave ndërkombëtare vendimarrëse.
PS. Kopjet e PROMEMORIES i posedoj në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht!