PE-ja synon t’i afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, më pranë Këshillit të Evropës dhe BE-së
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Parlamenti Evropian (PE) ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian (BE), duke përfshirë edhe Kosovën. PE-ja ka ndërmarrë hapa të veçantë për të mbështetur Kosovën në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE.
Një nga çështjet kyçe ku PE-ja ka ofruar mbështetje të fuqishme është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, procesi mbeti i bllokuar në Këshillin e BE-së për shkak të hezitimit të disa vendeve anëtare.
Gjatë periudhës 2019-2022, PE-ja ka miratuar rezoluta duke i bërë thirrje Këshillit të BE-së të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke theksuar padrejtësinë që i bëhej qytetarëve të saj, si vendi i vetëm në rajon pa liri lëvizjeje pa viza në zonën Schengen. Në vitin 2022, nën udhëheqjen e raportueses për Kosovën, Viola von Cramon, PE-ja intensifikoi përpjekjet për të ushtruar presion mbi shtetet anëtare skeptike. Si rezultat, në vitin 2023, Këshilli Evropian miratoi një datë për liberalizimin e vizave, me finalizimin e procesit të parashikuar për fundin e vitit 2023 dhe fillimin e vitit 2024, gjë që u realizua më 1 janar 2024.
PE-ja ka mbështetur edhe dialogun ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Në maj 2021, PE-ja miratoi një rezolutë që i bëri thirrje Serbisë të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se njohja reciproke është e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synonte njohjen e simboleve shtetërore të Kosovës nga Serbia, përbën një hap të rëndësishëm drejt paqes rajonale dhe integrimit të të dy vendeve në BE. Përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), PE-ja ka siguruar mbështetje financiare për projekte kyçe në Kosovë.
Në vitin 2021, Kosova përfitoi 78.4 milionë euro për projekte në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, të cilat synojnë përmirësimin e rrjetit energjetik dhe infrastrukturës. Për më tepër, përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka ndarë fonde shtesë për ndërtimin e një linje të re energjetike midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke forcuar sigurinë energjetike të të dy vendeve dhe integrimin rajonal.
Në vitin 2023, PE-ja miratoi një nismë për të lejuar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, të integrohen gradualisht në tregun e përbashkët të BE-së. Kjo përfshin qasje në katër liritë kryesore të BE-së: lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke i dhënë mundësi Kosovës të përfitojë nga tregtia e lirë me BE-në dhe të tërheqë investime të huaja.
Një tjetër fushë ku PE-ja ka ushtruar ndikim është forcimi i institucioneve demokratike dhe sundimi i ligjit në Kosovë. Në vitin 2020, PE-ja vlerësoi përparimin e Kosovës, por kritikoi vonesat në proceset gjyqësore dhe mungesën e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar reforma të thella për të rritur pavarësinë dhe transparencën e sistemit gjyqësor.
PE-ja ka si qëllim të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Ky institucion është një nga më të rëndësishmit për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë, dhe anëtarësimi i Kosovës do të ishte një hap i madh në përpjekjet e saj për integrim evropian.
Më 17 maj 2024, Kosova ishte pranë marrjes së një vendimi kyç nga Këshilli i Evropës për anëtarësimin e saj. Pas një rekomandimi pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në prill 2024, ku 131 deputetë votuan në favor të anëtarësimit të Kosovës, Komiteti i Ministrave kishte planifikuar të japë vendimin përfundimtar më 16 dhe 17 maj 2024. Megjithatë, për të marrë këtë vendim, Kosova do të duhej të siguronte një shumicë prej dy të tretash në votimin e Komitetit të Ministrave, ku janë përfaqësuar ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Ka një mbështetje të gjerë për anëtarësimin e Kosovës, por disa vende kërkojnë progres në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si një kusht pas-anëtarësim për t’u plotësuar. Ndërkohë, Serbia ka kundërshtuar dhe kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Kosovës, duke kërcënuar me pasoja në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Mbështetja e PE-së për Kosovën është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të afruar Ballkanin Perëndimor me strukturat evropiane, duke ndihmuar reformat e brendshme dhe duke i dhënë Kosovës një platformë për pjesëmarrje në vendimmarrjet evropiane. Përfshirja në Këshillin e Evropës do t’i jepte Kosovës më shumë mundësi për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe për të rritur standardet demokratike.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është mbështetur dhe do të duhej mbështetur nga shumë vende evropiane dhe institucione ndërkombëtare, por procesi ende përballet me sfida për shkak të mosnjohjes së saj nga disa shtete anëtare.
Parlamenti Evropian (PE) ka shprehur vazhdimisht interes për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane, duke mbështetur proceset që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian. PE-ja ka qenë një zë i fuqishëm në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe ka inkurajuar vazhdimisht përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Megjithatë, procesi i anëtarësimit mbetet i varur nga disa shtete anëtare të BE-së që kanë rezerva për pranimin e Kosovës, përfshirë mosnjohjen e saj nga pesë vende anëtare. PE-ja, megjithatë, mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të integrimit të Kosovës në strukturat evropiane.