PE-ja u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në procesin e dialogut
Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e dialogut që ndërmjetëson Brukseli.
Këto komente janë bërë në një debat që është zhvilluar në këtë komision lidhur me raportet për Kosovën dhe Serbinë.
Këto dy raporte janë hartuar nga raportuesit për këto dy vende: Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë.
Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se “Kosova ka bërë një rrugë të madhe drejt demokracisë” dhe ka shtuar se “përkundër polarizimit politik që ekziston kohëve të fundit në Kosovë, ky vend ka ecur para disa vendeve të rajonit në arritjen e standardeve të demokracisë”.
Megjithatë, ajo ka thënë se duhet arritur më shumë përparim në fushën e gjyqësorit, në mënyrë që të zhduket ndikimi i panevojshëm politik, raporton REL.
Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, von Cramon ka deklaruar se kjo çështje varet nga reformat e brendshme, por edhe nga dialogu me Serbinë.
“Ky dialog kërkon udhëheqësi dhe përkushtim të qartë, dhe nuk duam që Kosova të shihet si palë që është më pak konstruktive në dialog”, ka thënë Von Cramon.
Ajo ka tërhequr vërejtjen se situata e sigurisë në veri të Kosovës është edhe përgjegjësi e BE-së. “Ndoshta duhet të forcojmë edhe praninë e EULEX-it në veri. Po ashtu duhet të shohim se cilin rol duhet të luajmë në dialog”, ka thënë mes tjerash ajo.
Deputeti austriak nga radhët e grupit të Partisë Popullore Evropiane, Lukas Mandle, ka thënë në fjalimin e tij se, sa u përket vlerave dhe orientimit evropian, “Kosova është para tjerëve, si me vlera, me demokraci, po ashtu me shoqërinë civile”.
Propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ky deputet e ka quajtur si “një njohje de faco, dhe diçka që është vonuar”.