Peci: 4.6 milionë euro është përkrahja financiare për fermerët që kanë mbi 5 krerë lopë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se përkrahja për përpunuesit e qumështit është rritur. Vetëm gjatë vitit 2023 përmes programit për pagesa direkte, Peci ka deklaruar se shifra e përkrahjes financiare për fermerët që kanë mbi 5 krerë lopë është rreth 4.6 milionë euro.
Në konferencën e organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK), Peci është shprehur se këtë vit në Kosovë janë rreth 5 200 fermerë me mbi pesë lopë qumështore si dhe 1 355 fermerë të bagëtive të imta me mbi 30 krerë.
Ministri Peci ka përmendur një fermer që së fundmi e ka vizituar e që sipas tij, falë përkrahjes nga qeveria ka arritur t’i zgjerojë kapacitetet prodhuese. Ai ka thënë se deri në pesë mijë litra qumësht është kapaciteti i pranimit ditor që e prodhon ky fermer.
“Në bazë të të dhënave dhe statistikave, Kosova ka në vitin 2023 ka rreth 5 200 fermerë me mbi pesë lopë qumështore si dhe 1 355 fermerë të bagëtive të imta me mbi 30 krerë. Përmes programit për pagesa direkte 2023, rreth 4.6 milionë euro është shifra e përkrahjes financiare për fermerët që kanë mbi 5 krerë lopë, me një shifër të përafërt rreth 52 mijë gjithsej”, ka thënë Peci.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se vitin e ardhshëm do të arrijnë një bashkëpunim me Odën Ekonomike të Holandës, për përkrahjes e përpunuesve të qumështit.