Peci e hap “kuletën”: 100 mijë Euro vëllait të Fitore Pacollit për stallë, 50 mijë Euro bashkëpartiakut për villa
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka hapur “kuletën e Ministrisë” në muajt e fundit të mandatit të tij, duke ndarë shuma të majme. 100 mijë euro në formë granti i janë dhënë vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit për një shtallë, e 50 mijë tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa villave. Reporteri.net ka përmbledhur këto raste.
Një denoncim i bërë nga zyrtari i LDK’së, Egzon Pacolli, për ndarjen e një granti në vlerë prej 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, saktësisht Agjencia për Zhvillim Bujqësor është kthyer në kryetemën e ditës. Emri i Projektit është “Ndërtimi i stallës dhe lopë qumështore”, e përfitues i këtij granti është Blerim Pacolli, vëllai i deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, e cila është Kryetare e Komisionit për Bujqësi.
Kontrata me firmën e tij “Alda Farm Ria”, është nënshkruar me 16 korrik, a firma ishte hapur veç 4 ditë ma herët, me 12 korrik.
Në një dokument që u publikua më pas, figuron se ky projekt është me bashkëfinancim.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AZHB/MBPRZH do të financoj projektin tuaj me vlerë 65% nnga shuma e pranuar e investimit, pas kryerjes së investimeve, pas kontrollës së dytë në terren dhe llogaritjes së faturave. Koha e kryerjes së investimeve, është paraparë me kontratë. Nëse investimet i përfundoni para afatit të paraparë me kontratë ju mund të lajmëroheni edhe më herët për të bërë kërkesën për pagesë”, thuhet në këtë dokument, që mban datën e 14 qershorit 2024.
Pas reagimeve të shumta për këtë rast, ka dalë me reagim edhe vetë Ministri Faton Peci.
Peci ka thënë se “Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.
“Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete. Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!”, ka shkruar Peci.
“Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë”, ka shkruar tutje Peci.
Edhe një grant tjetër që ka dhënë kjo Ministri, ka nxitur reagime. Periskopi ka raportuar para disa javësh se Ministri Faton Peci i ka dhënë grant rreth 50 mijë euro bashkëpartiakut të tij, Bahtijar Berishës, në projektin mbi 84 mijë euro për ndërtimin e tri vilave në Komunën e Dragashit.
Projekti për ndërtimin e tri vilave kap vlerën e mbi 84 mijë euro.
“Pas kontrollës administrative, kritereve të vlerësimit dhe kontrollës së parë në terren, projekti juaj i plotëson kriteret për fillimin e investimeve sipas UA Nr. 04/2022.
Pranohen për investim pikat e cekura sipas: Përshkrimi të blerjeve përmes projektit dhe bazuar në Listën e investimeve të pranueshme të sektorit, me vlerën e kërkuar në projekt apo llogaritur në bazë të çmimores së AZHB’së, si në vijim: 1. Shtëpiza malore druri për ofrimin e shërbimeve të akomodimit, 3 shtëpiza me nga 5 shtretër, 2 dhoma gjumi, banjo dhe dhoma e ndejës secila sipas skicave dhe paramasës, me vlerë: 84,170.00 euro”, thuhet në dokumentin e lëshuar nga AZHB.
Ky medium kishte publikuar edhe një fotografi e këtyre villave.
Përveç grantit që ka marrë, Bahtjar Berisha, është rrugës për të marrë pozitën e drejtorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
Periskopi ka raportuar se Berisha ka dalë më i poentuari në listën e Komisionit Vlerësues. Në dokumentin e publikuar, figuron se ai është vlerësuar me 92.2 pikë.