Peci: Kosova ka hyrë në periudhën më të paparashikueshme politike

13 shkurt 2025 | 13:19

Ish-ambasadori Lulzim Peci, ka komentuar rezultatin preliminar zgjedhor të 9 shkurtit.

Me anë të një shkrimi në “Facebook”, Peci ka thënë se Kosova, me vetëdije të plotë, e ka futur veten në periudhën më të paparashikueshme politike që nga shpallja e pavarësisë.

“Në vend që draft-statuti i Asociacionit të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese dhe sot të ishim anëtarë të Këshillit të Evropës, me rrugë të hapura për integrim të mëtejshëm në BE dhe me mundësi për marrëdhënie më të ngushta me NATO-n, ne vendosëm të bënim të kundërtën, duke e armiqësuar veten me gjithë Perëndimin”, ka shkruar Peci.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij se me disa veprime po ia plotësojmë dëshirën Rusisë.

“Sot, kur po ndodhin lëvizje tektonike në rendin botëror, ia kemi plotësuar dëshirën Rusisë, e cila vazhdimisht ka deklaruar se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të ndodhë pas arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë. Tani, parametrat e rendit të ri botëror dhe të kornizës së sigurisë evropiane po ravijëzohen nga përfundimi i kësaj lufte, e cila mund të pasohet edhe nga një çarje e madhe transatlantike. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën, do ta shohim së shpejti!”, ka thënë ish-ambasadori Peci.

Peci ka thënë se “cilado qoftë rrjedha që do të marrë marrëveshja Kosovë-Serbi, mos u ankoni, sepse këtë e kemi dëshiruar vetë”.

“Derisa merreshim me taktika politike, si hapja e urës së Ibrit, e cila mbeti e mbyllur, nuk e shihnim malin për shkak të një druri. Kështu përfundon kur veshët dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë”, ka shkruar Peci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është…