Peci: Nëse VV-ja s’ka kë ta vendos në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ne propozojmë Haxhi Avdylin
Partia “Guxo” e cila është në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, shprehet e gatshme të marrë përgjegjësinë për ta drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.
Madje, kjo parti ka edhe emrin se kush do ta drejtonte shëndetësinë kosovare, në rast se arrihet një marrëveshje me VV-në.
Kryetari i “Guxo”, Faton Peci, ka thënë për Tëvë1 se ka unitet brenda partisë që deputeti, Haxhi Avdyli të jetë personi që do ta drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Peci ka thënë se ata janë shumë të kujdesshëm në negociatat me partnerin e koalicionit.
“Në çështje të negociatave dhe partneritetit ne jemi shumë të kujdesshëm dhe e respektojmë në maksimum dhe kemi besim e mirëkuptim me partnerin tonë, që nënkupton që ne kemi një formulë bashkëqeverisje të dakordësuar në fillim të mandatit, mirëpo zërat brenda partisë “Guxo” që e vlerësojnë personalitetin e Dr. Haxhi Avdyli mendoj që janë normale”, është shprehur Peci.
Tutje ai theksoi se kjo nuk duhet të merret si kërkesë me çdo kusht, por siç tha ai është thjeshtë shprehje e mendimit dhe bindjeve të “Guxo-s”
“Si do që të jetë ofrimi eventual i emrit të tij për Ministër të Shëndetësisë, vie në rrethana që thjeshtë në rast se Vetëvendosja kërkon që të kemi edhe një opinion, ose në rast se kanë vështirësi në përzgjedhjen e ndonjërit prej emrave që ka besimin e Vetëvendosjes. Personalitetin e Haxhi Avdylit e vlerësojnë në “Guxo”, por kjo nuk nënkupton as nuk duhet të merret si kërkesë me çdo kusht, thjeshtë është shprehje e mendimit dhe bindjeve të “Guxo-s”, tha ai.
Të enjten Rifat Latifi i cili ishte emëruar ministër i Shëndetësisë nga kryeministri Albin Kurti, dha dorëheqje. Latifi i cili para marrjes së detyrës kishte punuar në Amerikë, vlerësohet si një nga mjekët më të suksesshëm të Kosovës.
Por, gjatë ushtrimit të detyrës si ministër për më pak se një vit ai kishte marrë kritika të shumta.
Kryeministri Kurti, të premten ka emëruar Dafina Gexha-Bunjakun ushtruese të detyrës në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.