Peci nuk i komenton raportimet për largimin e deputetes Kica-Xhelili nga Lista Guxo

04 shtator 2022 | 13:04

Faton Peci nga Lista Guxo ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë raportimet për largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga kjo parti.

Sipas tij, nëse deputetja ka diçka për të thënë i takon të deklarohet, duke shtuar se nuk kanë ndonjë qartësim nga ana Kica-Xhelilit lidhur me këtë çështje.

“Ne presim qëndrimet nga deputetja në fjalë, përderisa nuk e kemi një qartësim të saj, ne vazhdojmë me menduar që ato janë pjesë e diskutimeve ose shkrimeve në nivel gazetarese”, ka thënë ai për “Kosovapress”.

Ai ka thënë se Lista Guxo është në rrugën e duhur drejt realizimit të të gjitha zotimeve që i ka bërë në zgjedhjet e fundit nacionale.

“Kushdo që mund të shpreh ndonjë pakënaqësi unë jam shumë kurioz me i kuptuar ose me e dite se cila është ajo pakënaqësi, posaçërisht marrë për bazë që thjeshtë ne, të gjitha zotimet dhe premtimet publike që i kemi dhënë në zgjedhjet e fundit nacionale, besoj jemi në rrugë shumë të mirë në realizim e sipër, kështu që pjesën e shkrimeve gazetareske unë nuk i komentoj, në rast se ka diçka për të thënë deputetja në fjalë i takon asaj që të deklarojë”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se në Listën Guxo aktualisht ka një atmosfere pune dhe organizim për Kuvendin Qendror që pritet ta mbajnë javën e ardhshme.

Faton Peci, i cili drejton Ministrinë e Bujqësisë, ka folur  edhe për mbështetjen që kjo ministri u jep komunave përmes granteve dhe subvencioneve.

Ai ka mohuar se qeveria po ofron përkrahje më të madhe për komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Absolutisht (përkrahja) është e njëjtë për të gjitha komunat, mund të ndaj me ju një shembull, në kuadër të investimeve kapitale për kategorinë e investimeve në sektorin e ujitjes, ne kemi nënshkruar memorandume me tetë komuna, prej tyre dy komuna që u është ofruar përkrahja janë nga Vetëvendosje, dy janë nga LDK-ja, dy nga PDK-ja dhe dy nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përkrahja ka qenë edhe në aspektin e përfaqësimit të rajoneve të Kosovës por edhe në aspektin e përfaqësimit politik, kështu që ne nuk njohim as parti politike në nivel të komunikimit me fermerët, me komunat në proces të realizimit të investimeve”, ka thënë  ministri i Bujqësisë.

Ai ka thënë se Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur në një situatë të palakmueshme, ndërsa ka shtuar se nga fillimi i punës, kjo ministri ka punuar më shumë se të gjitha mandatet e kaluara.

“Fatkeqësisht gjendja në të cilën e kam marrë Ministrinë e Bujqësisë ka qenë në një situatë tejet të palakmueshme, vetëm në një kategori borxhet ndaj fermerëve kanë qenë 40 milionë euro, kështu që e kemi ndryshuar tërësisht ketë pjesë të mënyrës së menaxhimit dhe qasjes në Ministrinë e Bujqësisë, për 1 vit e gjysmë të udhëheqjes së Ministrisë së Bujqësisë nga unë, në këtë rast nga Qeveria Kurti 2, në rast se i marrim për bazë politikat e hartuese, dokumentet strategjike, avancimin e legjislacionit dhe përkrahjen financiare, janë më shumë sesa krejt mandatet e tjera paraprakisht”, ka thënë ai, duke shtuar se fermeri i Kosovës është më i përkrahur në rajon.

“Përkrahja jonë në kategorinë e subvencioneve shkon deri në 216 për qind është rritje enorme dhe shumëfishim në të gjitha kategoritë e përkrahjes për fermerët, është përkrahja më e madhe në rajon, është përkrahja më e madhe ndonjëherë e realizuar në sektorin e bujqësisë. Tash ne nuk mundemi si institucione ose si vend i vogël të ndikojmë në nivelin e çmimeve të naftës ose të trendit të produkteve ose imputeve bujqësore që kryesisht kanë ardhur si rezultat i krizës energjetike, efektit të pandemisë dhe luftës në Ukrainë”, ka thënë Peci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agron Hoti Nga 32 shtete pjesëmarrëse, nxënësit gjermanë në vitin…