Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba, veç pritni kriminela
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është lëshuar me gjuhë të papërmbajtshme ndaj kritikëve për skandalin e ndarjes së 100 mijë eurove për vëllain e deputetes të Lëvizjës Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Ai ka akuzuar PDK-në dhe LDK-në duke i thënë “kriminela” dhe duke paralajmëruar gjuhë edhe më të rëndë.
“Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar Peci në “Facebook”.
Postimi i plotë i Pecit:
Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba!
Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve!
E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK-ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime!
Veç pritni kriminela!
Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoi si kurrë më parë!
Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim!
Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra.