Peci për qeverisjen e Kurtit në 2 vjet: Kemi lënë gjurmë
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka vlerësuar si të suksesshme qeverisjen dy-vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, në Kosovë.
Ai ka thënë se për dy vite janë lënë gjurmë të mëdha që kanë pasur efekte pozitive në shoqëri.
Ai e ka veçuar ministrinë që e drejton duke thënë se gjatë dy viteve ka pasur një sërë reformash.
“Mendoj që ende nuk i kemi bërë dy vite që qeveria është në detyrë, por kemi lënë gjurmë. Ju inkurajoj juve ta bëni një anketë dhe ta shihni cili është niveli i kënaqëshmërisë te fermerët në nivel të Kosovës, për veprimet në ministrinë e Bujqësisë”, ka thënë ai.
“Nuk ka javë që nuk realizoj një sërë vizitash, ata ta shpjegojnë praktikat që kanë qenë në të kaluarën dhe mënyrat dhe aktiviteti i tyre ndërmarrës në dy vitet e fundit. Eleminimi i barrave administrative, ata e shohin si është kthyer luftimi i korrupsionit dhe meritokracia, dhe e ndjenjë transparencën dhe nivelin e përkrahjes”, ka vijuar ai.
Po ashtu, ai i ka përmendur edhe disa punë që janë bërë në sistemin e drejtësisë, duke e veçuar Vettingun dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së paligjshme.
“Reformat e nisura në drejtësi kanë lënë gjurmë, nuk do të kenë kthim, qoftë Vetingu qoftë byroja për konfiskim dhe një mori veprimesh në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai.
Peci ka thënë se punët e mira do vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.