Peci: Përmes bashkëpunimit institucional drejt mbrojtjes së pyjeve

01 nëntor 2021 | 16:42

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka mbajtur sot takimin e parë të Task Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë.

Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pyjeve në Kosovë, Ministri Faton Peci theksoi rëndësinë e adresimit të problematikave me të cilat përballet ky sektor, pasur parasysh së pyjet përbëjnë rreth 44% të territorit të Republikës së Kosovës.

“Pyjet e Republikës së Kosovës përveç se duhen mbrojtur nga prerjet ilegale, duhet edhe që të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme, për ta rritur potencialin e tyre për zhvillim ekonomik të vendit. Me mbështetjen e FAO-s është drejtë finalizimit Strategjia për Pyje 2021 – 2030 ndërsa plotësim-ndryshimi i Ligjit për Pyje është në proces. Qëllimi kryesor i kësaj Task Force është unifikimi dhe koordinimi ndër-institucional i veprimeve për eliminimin e aktiviteteve të paligjshme në sektorin pyjor si dhe të arrihet një konsensus mes palëve të përfshira në këtë Task Forcë, që përmes bashkë-veprimit  t’i kthehet vëmendja e merituar këtij sektori e njëherit të mbrohen këto resurse kombëtare”, u shpreh Peci.

Nga ana tjetër Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se dikasteri që ai udhëheq është i gatshëm që të kontribuojë në krijimin e mundësive për menaxhimin më të mirë të pyjeve në Kosovë. Tutje ai theksoi mungesën e profesionistëve të fushës si dhe me shpalljen e parqeve nacionale, këto profesionistë edhe pse të paktë në numër mbesin nën udhëheqjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës, ku kjo e fundit nuk ka qasje në parqe nacionale. Ai bëri thirrje tek Institucionet e rendit dhe drejtësisë për një koordinim më të mirë drejt gjetjes së mekanizmave të duhura për mbrojtjen e pyjeve nga shkaktuesit e dëmeve e që këto të fundit nuk janë të pakta, sidomos në zonën e maleve të Sharrit.

Përfaqësuesi i FAO-së Ekrem Yazici  vlerësoi lartë vlerën dhe rëndësinë e biodiversitetit të pyjeve të Kosovës mirëpo theksoi edhe se ka akoma çështje, të cilat duhen adresuar e të cilat janë të rëndësishme për sektorin siç është është industria e përpunimit të drurit, mbrojtja e mjedisit, turizmi e të tjera. Ai tutje theksoi edhe rëndësinë e teknologjisë dhe pajisjes së pyjeve me kamera, për ta penguar prerjen ilegale mirëpo edhe këtu duhet një dakordancë ndër-institucionale, nëse përdorimi i materialeve të tilla shkakton implikime ligjore.

Në përbërjen e Task – Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve të Kosovës përveç Ministrive përkatëse, bëjnë pjesë edhe organet e rendit dhe ligjit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Shoqata të Pronarëve të Pyjeve Private si dhe Shoqatat relevante të përpunuesve të drurit.

Ndryshe, Task-Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë, u formua me vendim qeveritar në korrik të këtij viti me iniciativë të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opozita dhe shoqëria civile kanë bërë me dije se nuk…