Peci: Përpunuesit e Drurit, kontribues të mëdhenj në ekonominë vendëse – Ka rënie të prerjeve të pyjeve
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka thënë se përpunuesit e Drurit në Kosovë, janë kontribuues të mëdhenj në ekonominë vendëse, andaj edhe u premtoi përkrahje institucionale, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit që ka mbajtur me ta të premten, ministri Peci tha se temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe certifikimi i zonave të caktuara të pyjeve të Kosovës.
Peci tha se janë në proces të hartimit të politikave, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të zëvendësojnë importet e lëndës së parë prej vendeve të rajonit.
“Përpunuesit e drurit edhe kompanitë e tyre që furnizohen qoftë më lëndë të parë nga tregu vendor ose pyjet e Kosovës ose që importojnë, shihet të jetë njëra prej veprimtarive që po i kontribuon në masë të konsiderueshme ekonomisë së vendit dhe që po shihet që të jetë njëra prej veprimtarive me perspektivë në vendin tonë. Në funksion të saj duhet me marr për bazë që unë edhe jam edhe ministër i Pylltarisë dhe përmes Agjencisë së Pyjeve, menaxhojmë më pyjet e Kosovës. Diskutuam për mundësin e koordinimit më të mirë në procesin edhe të hartimit të politikave edhe draftimit të legjislacionit por edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me certifikimin e zonave të caktuara të pyjeve të Kosovës në të cilën ata munden në një të ardhme të zëvendësojnë importet e lëndës së parë prej vendeve të rajonit, gjegjësisht vendeve të BE-së. dhe në funksion të saj diskutuam për modalitete që ne mundemi me i ndërmarr si institucione dhe si Ministri në këtë rast”.
“Edhe në prag të hartimit të pjesë së dytë të planit ose planit të punës së strategjisë për pyje që kemi. Tani jemi në një situatë ma të avancuar për shkak se pas një përpjekje gati 12 vjeçare kemi arritur që të aprovojmë ligjin për pyjet, dhe kjo i jep përgjegjësi më të madhe Ministrisë që unë e drejtoj në aspektin e parandalimit të prerjeve ilegale që shkon në funksion të krijimit të kapaciteteve, resurseve edhe mundësive më të mëdha që këta përpunues të drurit të kenë sa më shumë në zinxhirin e funksionimit të tyre produkte vendore. Në funksion të saj na duhet edhe një angazhimi më të madh ndërinstitucional”, tha Peci.
Peci ka deklaruar se falë angazhimit ndërinstitucional, ka rënë interesimi i prerjeve ilegale të pyjeve.
“Ne jemi tash diku afër një vit prej se kompetenca është bartë të ministria dhe në bazë të analizave që kemi edhe nga eksperte edhe organizatat ndërkombëtare diku është një numër i konsiderueshëm që ka ra kjo pjesa e interesimit për të realizuar prerje ilegale. Për shkak se kur në dëshirojmë me e parandaluar prerjet ilegale nuk themi që pyjet e Kosovës nuk mundemi me u shfrytëzua, por ideja dhe intenca është që përmes angazhimit, përmes këshillave profesionale edhe përmes angazhimit të krejt zinxhirit shtetëror është që të kemi prerje vetëm të orientojmë fillimisht tek prerjet sanitare, që nënkuptojnë që drurët që kanë një afat të skadencës ose vjetërsisë ose tek drunjtë që janë në kuptimin edhe në aspektin fizik në drejtim të zhvillimit të nevojshme. Në rast se ne e orientojmë prerjet nga prerjet ilegale në prerje legale atëherë nuk do të kemi dëmtim të pyjeve por do të kemi vetëm një mirëmbajtje një menaxhim më të mirë. Për ne është lajm i mirë që ka një rënie drastike në vitet të fundit të prerjeve ilegale”, ka thënë ai.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Arjeta Pozhegu, ka thënë se si shoqatë pretendojnë që ta shfrytëzojnë më shumë drurin nga Kosova, pasi sipas saj, industria e përpunimit të drurit shumë pak e shfrytëzon drurin nga vendi.
Ajo shtoi se ka mungesë të pyjeve të certifikuara, por që në bashkëpunim me Ministrinë janë duke punuar që pyjet të mirëmenaxhohen.
“Me qenë se ne përfaqësojmë Shoqatën e përpunuesve të drurit, pra kryesisht industrinë e drurit dhe përpunuesit e tjerë, qëllimi lidhet me çështjen e pyjeve, lëndën e parë që ne si shoqatë me anëtarësim që kemi janë kryesisht edhe ata që pretendohet ta shfrytëzojmë më shumë drurin nga Kosova. Për këtë arsye edhe ne jemi në grupin punues, në task-forcë me MBPZhR. Kjo na ndihmon që vazhdimisht të jemi të informuar dhe të reflektojmë për përmirësimet që mund t’i kemi në pjesën e pylltarisë. Kjo lidhet me faktin që industria e përpunimit të drurit shumë pak e shfrytëzon drurin nga Kosova, kryesisht e shfrytëzon nga importi. Arsyeja është se në Kosovë nuk kemi dru teknik të mjaftueshëm për shkak se industria e përdor drurin teknik. Pastaj janë pyjet e pa certifikuar, mirëmenagjueshëm në një të afërme të afërt që ne po punojmë bashkë me ministrinë që të arrijmë këtë qëllim. T’i kemi bile disa njësi pyjore të certifikuara sepse kjo ka me ndihmuar dhe reflektuar në industrinë e drurit në Kosovës që tash është shumë e zhvilluar dhe ka pasur vitin e kaluar rreth 200 milionë eksport”, u shpreh ajo.