Peci: Veprimi i njëanshëm i qeverisë për urën mund ta sjellë ndërprerjen e kontratës për raketat ‘Javelin’
Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka ftuar institucionet e Kosovës të jenë të kujdesshme me hapjen e urës së Ibrit. Ai ka vlerësuar se veprimet e njëanshme të qeverisë për këtë çështje mund ta çojnë Kosovën në një përplasje të re me Perëndimin. Kjo përplasje, sipas tij, do t’i sillte pasoja të rënda Kosovës.
Peci ka paralajmëruar pasoja të mëdha për Kosovën nëse qeveria Kurti nuk i dëgjon këshillat e ShBA-së dhe BE-së për veriun. Ai ka bërë me dije se veprimi i njëanshme për hapjen e urës së Ibrit mund t’i sjellë Kosovës pasoja në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë.
Në fushën e sigurisë, ka thënë ai, mund të preket ndihma e ShBA-së për FSK-në.
Peci ka vlerësuar se këtu mund të përfshihet edhe ndërprerja e kontratës për raketat “Javelin”.
“Pasojat mund të jenë ekonomike (sanksione dhe masa të tjera politike), ashtu edhe në fushën e sigurisë, që mund të shkojnë deri te ndërprerja e ndihmës ndaj FSK-së, përfshirë këtu edhe ndërprerjen e kontratës për raketat Javelin nga ana e ShBA-së. Sot Kosovën nuk e përkrahin në fushën ndërkombëtare edhe miqtë më të mëdhenj të saj. Ky është treguesi më i mirë i situatës në të cilën jemi tani, për të cilën do të duhet shumë kohë që të rikuperohet”, ka thënë ai për “Nacionalen”.
Nder të tjera, ai i ka kritikuar ashpër sulmet e eksponentët e pushtetit ndaj KFOR-it. Pretendimet e njerëzve të tillë për ta paraqitur KFOR-in si dorë të zgjatur të qëndrimeve të Serbisë, sipas tij, janë absurde dhe tejet të dëmshme për Kosovën.
Peci është shprehur i bindur se përplasja e Policisë së Kosovës me trupat e NATO-së për çështjen e hapjes së urës nuk do të ndodhë. Ai ka bërë me dije se kjo do të ishte vetëvrasëse për Republikën e Kosovës.