Peizazh akuareli për jetën dhe vdekjen
Arif Molliqi
1.
miqtë e mi në shenjë respekti
ma rezervojnë një dhomë në ferr
sepse ata e dinë se pas kësaj
aty nuk ka vend për të gjithë
ka nga ata që janë kokëfortë
nuk e dinë çfarë vdekje duan
të ngadalshëm
të ngutshme
të vuajtur
disa e dëshirojnë vdekjen para vdekjes
në ndonjë bordel
pasi t’i kenë përdorur dy viagra përnjëherë
miqtë e mi mendojnë të vdesin
në varkën e Noas
pasi jeta në tokë është rrugë qorre
e vdekja është prita e saj …
2.
vdekja është art i jetës
për njeriun edhe për kafshën
si në gjah ashtu edhe në luftë
sëmundja është akt i vdekjes
shfaqja e saj mund të zgjasë pesë minuta
pastaj mbaron dhimbja
kam parë kafshë duke ngordhur
me plot art
më shumë se disa vdekje të njeriut
te varrezat kam parë varre
por s’kam parë vdekje me art
3.
burgjet janë plot njerëz
çmenduritë janë të zbrazëta
edhe më shumë se kaq
në këtë krizë trishtimi
njerëzit kalojnë pranë çmendurisë
si para një vepre arti
jashtë të shurdhrit lëshojnë zërin
brenda të pafajshmit braktisin vetveten
4.
në këtë kohë
nuk më duhet letra
mbase në pluhurin e kozmosit
mund ta shkruaj testamentin
e dashurisë e seksit dhe vdekjes
5.
e kam parë një kurvë që vdiq
një të diele feste
(ka mundur me qenë edhe ditë xhumaje)
por që në aktin e vdekjes
kishte treguar klasë në seks
thonë se ajo vdiq me art
në luftë mes shumë aktorëve
mbase
regjisori i kishte tredhur
të mos mungonin në premierë
6.
lajm i mirë
në një seancë të purpurt
një zonjë
ia kishte fal publikut
një buzëqeshje të shtirur
derisa parlamentarët po digjeshin
nga kurmi
jashtë
lypsarët hungërinin për bukë
e dikush kollitej nga parfumi
që vinte nga flokët e ligjdhënësve