Peja dhe Trepça në kërkim të suksesit në Evropë
Peja dhe Trepça sonte do të luajnë ndeshjet e tyre në kuadër të FIBA Europe Cup.
Kampioni i Kosovës, Peja në “Karagaçi”, do të përballet me skuadrën e njohur holandeze, Heroes Den Bosch, sfidë kjo që fillon në orën 19:00.
Peja në sfidën e parë ishte mundur nga skuadra gjermane NINERS Chemnitz 98:72, kurse Heroes Den Bosh ishte mposhtur nga GE Spojnia Stargard me rezultat 89:92.
Peja ishte në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por kishte pësuar nga kampionët e shumëfishtë të Danimarkës, Bakken Bears Aarhus, 103:79.
Verdhezinjtë kanë ftuar tifozët për përkrahje, në spektaklin e basketbollit, që pritet të jetë sonte “Karagaçi”, ku lojtarët më shumë se kurrë kanë nevojë për përkrahjen e tyre.
Kujtojmë se Peja edhe në edicionin 2016-17 ishte pjesë e grupeve të FIBA Europe Cupe.
Ndërkohë, sonte në FIBA Europe Cup, do të luajë edhe Trepça, një tjetër skuadër e njohur në vendin tonë.
Klubi mitrovicas për herë të parë do të garojë në grupet e FIBA Europe Cup.
Mitrovicasit do të përballen me ZZ Leiden nga Holanda, ndeshje kjo që starton në orën 19:00, raporton “RTKlive”.
Ky është takimi i parë për “Xehetarët” në FIBA Europe Cup, pasi javën e kaluar sfida me skuadrën izraelite Hapoel Galil Elion nuk u zhvillua, për shkak të situatës në Izrael.
Ndërkohë, holandezët e nisën me fitore duke mundur BCM Gravelines Dunkerque me shifrat 77:69.
Atmosfera në Mitrovicë pritet të jetë ‘elektrizuese’ për sfidën evropiane. Mitrovicasit edicionin e kaluar ishin në kualifikimet për grupet e FIBA Europe Cup, por nuk ia arritën qëllimit të hyjnë në grupe, që e arritën këtë vit në Estoni.
Fituesit e Kupës dhe Superkupës së Kosovës pritet të kenë paraqitje dinjitoze në garat evropiane.