Peja fiton derbin ndaj Prishtinës
KB Peja e ka mundur Sigal Prishtinën në derbin e rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës me rezultat 101:74 (22:24, 25:26, 22:13, 32:11), në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Pjesa e parë në fakt ishte mjaft e barabartë, ku prishtinasit e fitojnë çerekun e parë 22:24 dhe atë të dytë, 25:26, ku skuadrat shkuan në pushim me rezultat 47:50. Por, në pjesën e dytë, Peja ka dominuar, duke e fituar periodën e tretë 22:13, kurse më bindëse ishte në 10 minutat e fundit 32:11, për të triumfuar në fund me shifrat 101:74.
Te Peja u dalluan Brandon Walter me 21 pikë e 16 kërcime, Dardan Berisha me 27 pikë e nëntë kërcime, Dion Dixon me 28 pikë e pesë asistime dhe Marko Peroviq me 21 pikë e pesë kërcime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Daniel Lekndreaj me 17 pikë dhe Don Polloshka me 15 pikë dhe tetë kërcime.
Peja ka dhjetë fitore dhe pesë humbje, kurse Sigal Prishtina katër fitore dhe 11 humbje. Ndërsa skuadra e Trepçës ka shënuar fitore shumë të rëndësishme, duke mundur Bashkimin në Prizren me rezultat 91:97 (19:22, 19:24, 20:26, 33:25).
Te Bashkimi u dalluan Endrit Hysenagolli me 22 pikë e 17 kërcime, kurse nga 18 pikë shtuan Sean Hoehn dhe Musab Mala. E te Trepça më i miri ishte Drilon Hajrizi me 25 pikë, 14 kërcime e pesë asistime, i ndihmuar nga Dillon Smith me 25 pikë e tetë asistime dhe Besnik Azemi me 19 pikë. Bashkimi ka tetë fitore dhe shtatë humbje, kurse Trepça tri fitore dhe 12 humbje. Ndërkohë Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 73:67 (19:16, 21:25, 21:14, 12:12) në kuadër të javës së 15-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Te Rahoveci u dalluan Marvin Jones me 24 pikë e gjashtë kërcime dhe Isaiah Traylor me 22 pikë e katër kërcime, kurse te Vëllaznimi u dallua Christopther Hortman me 17 pikë e tetë kërcime. Rahoveci ka 12 fitore dhe tri humbje, kurse Vëllaznimi katër fitore dhe 11 humbje.