Peja fiton derbin ndaj Rahovecit
Peja e ka fituar derbin e javës, duke mundur në udhëtim Rahovecin me rezultat 95:109 (24:19, 26:34, 23:23, 22:33) në kuadër të xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në basketboll, derisa kjo ishte ndeshja e fundit për stinorin vjeshtor.
Takimi ka qenë shumë interesant, me Vreshtarët që e kanë filluar më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 24:19. Megjithatë, në periudhën e dytë, rikthehen pejanët, duke fituar 26:34, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 50:53. Perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë, duke përfunduar 23:23 dhe fituesi është vendosur në dhjetëminutëshin e fundit. Rahoveci arrin të barazojë shifrat në 80:80, por “Verdhezinjtë” hynë në një seri prej 0:8, duke krijuar epërsi prej 80:88 dhe deri në fund nuk e lëshuan fitoren nga duart, duke triumfuar me rezultat 95:109.
Te Rahoveci u dalluan Darell Davis me 30 pikë, shtatë kërcime dhe tetë asistime dhe Joshua McFolley me 24 pikë, derisa te Peja u dalluan Nigel Johnson me 32 pikë e tetë asistime dhe Drilon Hajrizi me 24 pikë e nëntë kërcime.
Rahoveci e përfundon stinorin vjeshtor në vendin e dytë me 11 fitore dhe pesë humbje, kurse Peja në vendin e gjashtë me nëntë fitore dhe shtatë humbje.