Peja fiton pas vazhdimeve kundër Feronikelit
KB Peja ka fituar vetëm pas vazhdimeve ndaj Feronikelit si mysafir me rezultat 91:98 (25:31, 21:17, 19:22, 21:16, 5:12), në ndeshjen e fundit të javës së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Peja e nisi ndeshjen më mirë duke e fituar çerekun e parë 25:31, por Feronikeli u kundërpërgjigj në periodën e dytë, duke e fituar 21:17 dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 46:48. Edhe në periudhën e tretë u zhvillua lojë shumë interesante, ku mysafirët për një nuancë ishin më të mirë 19:22 dhe rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 65:70. Lojë shumë interesante u zhvillua në 10 minutat e fundit, ku Nikli këndellet dhe befason Pejën, duke pasur epërsi deri në katër pikë, 80:76. Dramë u zhvillua deri në fund, ku Nikli kishte epërsi 86:83, por Henrik Shirko shënon në sekondat e fundit për të barazuar shifrat në 86:86 dhe loja shkon në vazhdime. Në vazhdime Peja u tregua më e vëmendshme, ku fitoi 5:12 dhe triumfoi në fund 91:98.
Te Feronikeli u dalluan Kareem Storey me 18 pikë dhe Ergis Grosha me 17, derisa te Peja pikë dyshifrore shënuan: Nigel Johnson 21, Drilon Hajrizi 18, Richard Jackson 15 e 11 kërcime, Dardan Berisha 15 dhe Henrik Shirko 15.
Feronikeli tani ka pesë fitore dhe 15 humbje, kurse Peja 11 fitore dhe tetë humbje.