Peja mposhti Feronikelin
Në një ndeshje me shumë emocione, Peja ka mundur Feronikelin me rezultat 107:100 (33:14, 35:21, 19:39, 20:26) në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje kushtuar viktimave të tërmetit në Shqipëri, derisa basketbollistët e dy skuadrave u bënë bashkë para ndeshjes për të kujtuar viktimat dhe duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Sa i përket takimit ishte me dy fytyra, ku në pjesën e parë dominuan totalisht pejanët, kurse në atë të dytë skuadra nga Drenasi.
Peja e fitoi çerekun e parë 33:14, derisa atë të dytë 35:21 për të shkuar në pushim me rezultat 68:35. Feronikeli fitoi periodën e tretë 19:39 dhe atë të fundit 20:26, duke afruar rezultatin, por pa mundur të kalojnë në epërsi. Në fund pejanët fitojnë 107:100.
Drilon Hajrizi me 31 pikë e 11 kërcime dhe Henrik Sirko me 29 pikë e pesë kërcime ishin më të dalluarit te Peja, kurse Arti Hajdari ishte më i miri te Feronikeli me 34 pikë. Peja ka pesë fitore dhe gjashtë humbje, kurse Feronikeli tri fitore dhe nëntë humbje.