Peja në finale

13 prill 2021 | 19:50

Në një ndeshje dramatike, Peja ka shënuar fitore ndaj Rahovecit 71:73 (17:15, 16:20, 13:30, 25:8), në gjysmëfinale të Ligës Unike.

Ndeshja në fakt nisi e baraspeshuar dhe në çerekun e parë asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, derisa kjo pjesë përfundon 17:15. Luftë për çdo top u zhvillua edhe në periudhën e dytë, ku pejanët ishin për një nuancë më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 16:20, duke shkuar në pushim me shifrat 33:35.

Në periodën e tretë, verdhezinjtë dominuan totalisht, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Me kalimin e minutave pejanët thelluan epërsinë, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 46:65. Por, Rahoveci nuk u dorëzua, duke u rikthyer fuqishëm. Vreshtarët ngushtuan shifrat në 63:67, vetëm 3 minuta nga fundi, me një seri të suksesshme prej 17:2.

Deri në fund u zhvillua ndeshje dramatike, ku 10 sekonda nga fundi pranë rezultatit 71:73, Rahoveci kishte aksionin e fundit, por një super bllokadë nga Lis Shoshi dhe huqja e Darell Davis, bëri që Peja të kalojë në finale, ku e pret fituesin e ndeshjes Goga Basket-Golden Eagle Ylli.

Te Rahoveci u dallua Darell Davis me 35 pikë, kurse te Peja u dalluan Brandon Walters me 20 pikë e 11 kërcime, Lis Shoshi me 18 pikë e 10 kërcime dhe Aj Walton me 18 pikë e 8 kërcime.

Të mërkurën (nesër) do të zhvillohen ndeshjet për vendin e tretë dhe finalja e madhe.

14 Prill

16:00 Ndeshja për vendin e tretë

19:00 Finalja e madhe

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, po përfaqëson sot…