Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë
Në kuadër të investimeve kapitale të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), për vitin 2019, kjo ministri në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë do të themelojë Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në këtë qytet, saktësisht në hapësirën e këtij universiteti.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, për të lansuar këtë projekt të rëndësishëm ka vizituar sot Universitetin Publik të Pejës “Haxhi Zeka”, në hapësirat e të cilit do të jetë Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Beqaj ka takuar rektorin prof. dr. Fadil Millaku, dekanin Halit Shabani dhe sekretarin Astrit Adema.
Së bashku kanë vizituar ambientet e dedikuara nga Universiteti për këtë Qendër.
Ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e Qendrës edhe para studentëve të shumtë të Universitetit të Pejës.
“Është kënaqësi e veçantë të shoh entuziazmin e madh të studentëve nga Peja me rrethinë, që ishin në numër kaq të madh, për të dëgjuar dhe për të bashkëbiseduar për idenë e kësaj Qendre”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai ka shtuar se ky është një lajm i mirë për Pejën dhe themelimi i Qendrës ka për qëllim të lidhë shkencën me biznesin.
Beqaj ka theksuar rëndësinë e veçantë dhe potencialet e mëdha që ka ky rajon për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Ministri Beqaj, u bëri thirrje të rinjve të kësaj ane që idetë dhe njohuritë e tyre t’i zhvillojnë përmes inovacionit dhe ndërmarrësisë, në mënyrë që e ardhmja e tyre dhe e vendit të jetë e sigurt dhe e suksesshme.
/Epoka e re/