Peja ‘nuk njeh humbje’, triumfon në klasiken kosovare
Peja ka regjistruar fitoren e tetë këtë edicion, duke qenë skuadra e vetme pa humbje në elitë. Verdhezinjtë kanë mundur Sigal Prishtinën 79:77 (18:23, 26:17, 20:20, 15:17), në klasiken kosovare, ndërsa prishtinasit kanë pesë fitore e tri humbje.
Prishtinasit e nisën ndeshjen shumë më mirë, duke krijuar epërsi prej tetë pikësh, 6:14, dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, ku e fituan këtë pjesë 18:23. Por, pejanët nuk u dorëzuan dhe me një seri fantastike barazuan shifrat në 33:33, dhe kthyen epërsinë në të mirë të tyre, 41:33, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 44:40.
Periudha e tretë ishte interesante dhe e barabartë. Vendasit u mundonin të shkëputeshin në rezultat dhe mysafirët që afronin shifrat, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 64:60, gjithnjë për vedhezinjtë. Lojë dramatike u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku pejanët sërish u shkëputën, megjithatë kryeqytetasit afrojnë rezultatin në 78:77, madje kishin rastin edhe të fitojnë kur Rrezart Memedi nuk shënoi dhe rezultati përfundimtar ishte 79:77.
Te Peja u dalluan Brad Waldow me 12 pikë e 12 kërcime dhe Rodney Purvis me 20 pikë, kurse te Sigal Prishtina më të mirët ishin Dustin Thomas me 21 pikë e 11 kërcime, Derrick Wilson me 14 pikë dhe Dardan Berisha me 13 pikë e nëntë asistime.