Peja pëson humbjen e parë në Ligën Ballkanike
Skuadra e Pejës pas dy fitoreve radhazi në Ligën Ballkanike, pësoi humbjen e parë, duke u mundur nga Academic Bultex 99 me rezultat 87:98 (24:26, 19:26, 17:29, 27:17).
Ndeshja ka qenë shumë interesante dhe basketbollistët pejanë dhanë maksimumin, por nuk arritën të triumfojnë në fund. Edhe pse Peja e nisi ndeshjen më mirë, çereku i parë përfundoi 24:26 në të mirë të mysafirëve, që ishin më të mirë edhe në periodën e dytë 19:26.
Dallimi më i madh ishte në periudhën e tretë (17:29), ku skuadra bullgare thelloi epërsinë që shkoi më shumë se 20 pikë, derisa ishin të saktë në gjuajtjet për tre pikë. Në dhjetëminutëshin e fundit, lojtarët vendës dhanë maksimumin, duke e afruar epërsinë në vetëm dhjetë pikë, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe në fund pësuan me rezultat 87:98.
Te Peja u dalluan Henrik Sirko me 29 pikë, 14 kërcime dhe gjashtë asistime, derisa Drilon Hajrizi shtoi 25 pikë dhe dhjetë kërcime. Te mysafirët më i miri ishte Shakir Smith me 31 pikë, 11 kërcime dhe dhjetë asistime. Peja ka dy fitore dhe një humbje në Ligën Ballkanike, kurse skuadra bullgare tri fitore në tri ndeshje.