Pele: Kampionët si Ronaldo nuk lodhen kurrë me sfida të reja
Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund përvojës 9-vjeçare te Real Madridi dhe nënshkruar me Juventusin është veprim i duhur, sipas legjendës së futbollit, brazilianit Pele.
Ronaldo u pajtua për një kontratë katërvjeçare me kampionët e Serisë A për ta kompletuar një transferim prej 100 milionë eurosh të martën.
Kapiteni i Portugalisë ka thënë se dëshiron të fillojë një “cikël të ri” në karrierën e tij, në moshën 33-vjeçare, pasi ka fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve në pesë vjetët e fundit në Madrid. Dhe Pele, i cili kaloi 18 vjet te Santosi, para se ta përfundonte karrierën me New York Cosmos, e kupton vendimin e CR7. “Urime, Cristiano!”, ka shkruar ikona e Brazilit në “Twitter”. “Ishte e vështirë edhe për mua të bashkohesha me një skuadër tjetër, pas kaq shumë kohësh te Santosi, por bëra veprimin e duhur. Kampionët si Ronaldo kurrë nuk lodhen me sfida të reja”, ka deklaruar Pele.
Në të vërtetë, Ronaldo tregoi se ishte duke e konsideruar një sfidë të re në maj, pasi Real Madridi mundi Liverpoolin në finalen e Ligës së Kampionëve. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve për Real Madridin, Ronaldo, raportohet se ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, që do ta shohë atë duke futur në xhep nga 30 milionë euro për sezon. Dhe Juventusi duhet ta fitojë titullin në Serinë A këtë sezon, në mënyrë që Ronaldo të bëhet lojtari i parë kampion në Itali, Spanjë dhe Angli.