Pelosi në Parlamentin e Tajvanit: Ne mbështesim mbrojtjen tuaj
“Ne e përgëzojmë Tajvanin që është një nga shoqëritë më të lira në botë”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Parlamentin e Tajvanit.
Ajo iu drejtua ligjvënësve në Parlamentin e Tajvanit të mërkurën dhe do të takohet me presidenten dhe aktivistë të të drejtave të njeriut gjatë vizitës në ishull që ka zemëruar Pekinin.
Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj, menjëherë dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.
Të mërkurën, Pelosi falënderoi presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen për udhëheqjen e saj, teksa bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Ajo tha, gjithashtu, se legjislacioni i ri i SHBA-së që synon forcimin e industrisë amerikane për të konkurruar Kinën “ofron mundësi më të mëdha për bashkëpunimin ekonomik SHBA-Tajvan”.
Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Tajvanin në 25 vjetët e fundit. Ajo udhëtoi për në Tajpei nga Malajzia.
Arsyet e vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan
Në një opinion të publikuar në Washington Post, Pelosi ka treguar arsyet e vizitës së saj në Tajvan dhe menjëherë pas arritjes në këtë shtet ajo vlerësoi angazhimin e Tajvanit për qeverisje demokratike, ndërsa kritikoi Kinën se ka rritur në mënyrë dramatike tensionet me Tajvanin në vitet e fundit.
Ajo tha se Akti i Raporteve me Tajvanin, dokument i nënshkruar 43 vjet më parë, përcakton angazhimin e Amerikës për një Tajvan demokratik, “duke siguruar kornizën për raporte ekonomike dhe diplomatike që do të forcohej shpejt në një partneritet kyç”.
Pelosi tha se ky dokument përfshin “betimin solemn” të SHBA-së për të mbështetur mbrojtjen e Tajvanit. Sipas këtij akti, Uashingtoni e konsideron çdo përpjekje për të përcaktuar të ardhmen e Tajvanit me mjete të tjera përveç atyre paqësore do të ishte “një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Paqësorin Perëndimor dhe do të paraqiste shqetësim të madh për SHBA-në”.
Sipas saj, SHBA-ja duhet ta kujtojë këtë betim teksa demokracia e Tajvanit tani po kërcënohet nga Kina.
Pekini ka shtuar patrullimet me avionë vëzhgues, avionë bombardues dhe avionë të tjerë luftarakë, tha Pelosi. Po ashtu ka kryer dhjetëra sulme kibernetike ndaj agjencive qeveritare tajvaneze dhe po u bën presion shteteve në botë që të shkëpusin raportet me ishullin.
Në opinionin e publikuar në Washington Post, Pelosi përmendi “shtypjen brutale” të Kinës ndaj disidencës në Hong Kong dhe trajtimin e myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve të tjera, që SHBA-ja i cilëson si gjenocid.
“Ne nuk mund të qëndrojmë pa vepruar teksa Partia Komuniste Kineze e kërcënon Tajvanin dhe demokracinë”, tha Pelosi.
Ajo tha se përderisa Rusia po vazhdon “luftën e paramenduar dhe ilegale ndaj Ukrainës, duke vrarë mijëra persona të pafajshëm – përfshirë fëmijë – është thelbësore që Amerika dhe aleatët ta bëjnë të qartë se ne kurrë nuk do të dorëzohemi para autokratëve”.
Pas vizitës në Tajvan, Pelosi do të vizitojë Japoninë dhe Korenë e Jugut./REL/