Pen America: Të shtangur nga Nobeli për Handken
Organizata amerikane Pen, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe promovon letërsinë, ka vlerësuar se zgjedhja e Komitetit të Nobelit për laureat të çmimit në letërsi është për keqardhje.
Të enjten, shkrimtari austriak, Peter Handke, i cili njihet edhe si figurë kundërthënëse, fitoi Nobelin për vitin 2019.
“Jemi të shtangur me përzgjedhjen e një shkrimtari, i cili ka shfrytëzuar zërin e tij publik për të minuar të vërtetën historike dhe për t’iu ofruar ndihmë publike autorëve të gjenocidit, si ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, dhe ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq”, ka thënë shkrimtarja Jennifer Gean, presidente e organizatës Pen America.
“Në kohën e rritjes së nacionalizmit, udhëheqjes autokratike dhe dezinformimit të gjerë në mbarë botën, komuniteti letrar meriton më mirë se kjo. Ne ndjejmë keqardhje të thellë për zgjedhjen e Komitetit Nobel për Letërsinë”, ka thënë Gean.
Zgjedhja e Handkes ka nxitur reagime edhe në Kosovë dhe rajon.
Mes të tjerave, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka kërkuar që të anulohet ky vendim.