Pence kritikon Suu Kyi-në për trajtimin e myslimanëve Rohingya
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka kritikuar udhëheqësen e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, për trajtimin që iu ka bërë qeveria e saj myslimanëve Rohingya dhe tha se pret “me ankth” se çfarë hapash do të ndërmerren për të ndihmuar kthimin e tyre në shtëpi.
Duke folur me Suu Kyi-në, në margjina të një samiti të Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore në Singapor, Pence ka kujtuar se “dhuna dhe përndjekja” kanë çuar në largimin e mbi 700 000 Rohingya-ve nga shteti Rakhine qysh në gusht të vitit 2017.
Birmania, e banuar me shumicë budiste, e njohur edhe si Mianmar, i mohon akuzat për spastrim etnik dhe thotë se forcat e sigurisë u janë përgjigjur sulmeve nga militantët dhe se nuk kanë shënjestruar civilët.
Pence po ashtu ia ka tërhequr vërejtjen Suu Kyi-së se burgosja e dy gazetarëve të “Reuters”-it është “thellësisht shqetësuese”.
Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo janë dënuar me nga shtatë vjet burgim në shtator, pasi janë shpallur fajtorë për, siç është thënë, mbledhjen e sekreteve shtetërore, derisa kanë raportuar për dhunën e ushtrisë së Mianmarit ndaj myslimanëve Rohingya.
“Ne e njohim vendin tonë më mirë se na njeh çdo vend tjetër. Andaj, jemi në pozicion më të mirë për t’ju treguar se çfarë po ndodh”, i ka thënë Suu Kyi nënpresidentit amerikan, Mike Pence.
E vlerësuar dikur si kampione në luftën për demokraci, Suu Kyi ka fituar Çmimin Nobel për Paqe më 1991.
Asaj i janë marrë disa çmime ndërkombëtare pas krizës me myslimanët Rohingya.