Pence: ShBA-ja do zgjidhje paqësore me Korenë e Veriut
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Mike Pence, ka thënë se Uashingtoni dëshiron të çmontojë paqësisht programin bërthamor të Koresë së Veriut, por ka paralajmëruar Phenjanin të mos e nënvlerësojë forcën ushtarake të SHBA-së.
“Forcat tona janë të gatshme dhe kombi ynë është i vendosur”, ka thënë Pence në një fjalim para trupave amerikane në bazën Jokota në Japoni.
“Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të kërkojnë paqe. Ne do të përpiqemi për një të ardhme më të mirë, por ju instrumentet e pushtetit amerikan e dini se të gjitha opsionet janë në tavolinë”, i ka thënë Pence audiencës, raporton “Rel”.
Pence do të udhëtojë në Korenë e Jugut për të ndjekur ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjonçang, vetëm 80 kilometra nga kufiri i armatosur rëndë me Korenë e Veriut.
Dy zyrtarë të lartë verikoreanë do të jenë po ashtu në Pjonçang.
Të mërkurën, Pence ka thënë se Uashingtoni së shpejti do të miratojë sanksionet e tij më të ashpra ndaj Phenjanit.
Pas një viti retorikë të ashpër midis Phenjanit dhe Uashingtonit, tensionet në Gadishullin Korean janë ulur, pasi udhëheqësi verikorean, Kim Jong Un, ka thënë në fjalimin e Vitit të Ri se ai është i gatshëm për bisedime me Seulin.
Që atëherë, Veriu ka rënë dakord të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore të Jugut me një ekip të kombinuar në hokej nga të dy anët.