Pendarovski: Bilall Kasami shpalli Kurtin kryeministër të shqiptarëve, kjo është ofenduese për Ramën
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për gazetën shqiptare “Shenja”, ka komentuar sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare atje – Tetovë dhe Çair të Shkupit – duke vlerësuar se nga kjo vizitë mund të jetë ofenduar edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.
Kreu i shtetit maqedonas ka thënë se vizita e kryeministrit Kurti për promovimin e rrugës me emrin e veprimtarit shqiptar Adem Demaçi është përdorur për të luajtur me kartën e “Shqipërisë së Madhe”, derisa ka ngelur i hatëruar nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili, sipas tij, s’ka pasur nevojë të vepronte siç ka vepruar.
“Aty ishte karta e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe elementi i dytë që më ka penguar ishte me Kasamin i cili incizoi video duke thënë: mirëserdhët në kryeqytetin e shqiptarëve dhe ku e ka paralajmëruar Kurtin sikur kryeministër të shqiptarëve e që minimumi është ofendues për Ramën. Mendoj se këtë lloj të retorikës nacionaliste nuk duhet ta përdorim”.
Kryeministri Kurti ishte pritur më 11 gusht me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare atje, ndërsa vizita e tij është cilësuar në masë të madhe sikur një pozicionim i qartë politik dhe përpjekje për “përçarjen” e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.