Pendarovski dhe Siljanovska në balotazh për president të Maqedonisë së Veriut
Stevo Pendarovski, kandidat i 31 partive në pushtet të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate, është shpallur fitues në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por me një diferencë shumë të ngushtë kundrejt Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, nga 98 për qind të vendvotimeve të numëruara, Pendarovski ka fituar me një diferencë prej rreth 1 mijë votave, 316.716 apo 42,72 për qind, kurse Siljanovska 315.651 apo 42,58 për qind për qind.
Por me ketë rezultat Maqedonia e Veriut duhet të shkojë në balotazh për zgjedhjen e presidentit.
Gara do të zhvillohet në balotazh më 5 maj ndërmjet Pendarovskit dhe Siljanovskës.
Presidenti mund të zgjidhet në rrethin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave nga lista votuese, apo rreth 900 mijë, por deri më tani asnjë president nuk është zgjedhur në rrethin e parë për shkak të numrit të madh të votave që duhet të merr, kështu që në balotazh më 5 maj do të kalojnë dy garuesit me numrin më të madh të votave.
Kandidati shqiptar, Blerim Reka, që ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët ka fituar 76.697 apo 10,35 për qind.
Nga i cili tash presin mbështetje të dy kandidatët.
Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së ka thënë se në zgjedhjet e së dielës ka fituar koncepti që çon para vendin ndërsa ka ftuar qytetarët që në balotazh të vulosin fitoren e kandidatit pro evropian, Stevo Pendarovski.
“Në rrethin e dytë kemi dy koncepte, të bashkimit dhe ecjes përpara, dhe konceptin e Siljanovskës, të ndarjes dhe kthimit pas. Është e qartë se në rrethin e dytë koncepti i Pendarovskit do të ketë mbështetje edhe më të madhe. Pres që edhe qytetarët që votuan për Blerim Rekën të na bashkohen në rrugën që çon para shtetin”, ka deklaruar Zaev.
Ndërkaq Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së ka ftuar popullin që në balotazh të votojë kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova.