Pendarovski flet për bisedën me Bidenin, thotë se Kosova s’është më prioritet i ShBA-së
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka treguar bisedën që e ka pasur muaj më parë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si dhe qasjen e ShBA-së ndaj rajonit.
Në paraqitjen e tij në “ClickPlus”, Pendarovski ka folur konkretisht për Kosovën, duke thënë se ajo nuk është më prioritet i ShBA-së, të paktën jo sikur në vitin 1999.
“Të mos ju mbetet hatri miqve tanë amerikanë, por e përsëris edhe njëherë, Kosova që një kohë të gjatë ka dalë nga radarët e prioriteteve amerikane. Nuk them se nuk brengosen fare për rajonin, për ne, për Kosovën, megjithatë Kosova nuk është prioritet i politikës së jashtme amerikane dhe nuk do të jetë kurrë më shumë siç ka qenë gjatë periudhës së vitit 1999”, ka thënë Pendarovski.
Gjithashtu, ai ka thënë se në bisedën që e ka pasur me Bidenin, i ka kërkuar që për ambasadorë në vendet e rajonit, të emërojë persona që e njohin mentalitetin e politikanëve të Ballkanit.