Pendarovski: Kurti mund ta mbështesë cilindo në zgjedhjet e Maqedonisë
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas pyetjes së gazetarëve ka folur edhe për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë.
Pendarovski ka thënë se nuk i komenton deklaratat për ndërhyrjen e burrështetasve tjerë në zgjedhjet e Maqedonisë, por ai ka treguar se çfarë ka biseduar me Kurtin për zgjedhjet në Maqedoni, raporton “Telegrafi” në Maqedoni.
“Nuk dua të komentoj përfaqësuesit e jashtëm, që sipas gjitha gjasave kanë edhe ata ndonjë agjendë të brendshme, e janë duke komentuar një shtetas tjetër për ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë. Unë kam biseduar edhe me zotëri Kurtin në Prishtinë, se mbështetja e tij për njerëz të Maqedonisë nuk bën problem. Këtu nuk bëhet fjalë për shtetas të huaj që do marrin pjesë në zgjedhjet tona, pasi kjo nuk lejohet. Të gjithë këta njerëz që përmenden në medie si njerëz të tij, janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Mbështetje politike, Kurti mund t’i jep kujt të dojë. Këtë, për shumë vjet e bëjnë edhe parti tjera evropiane të cilat janë si motër me ndonjë parti e brendshme. Këtu nuk shoh ndonjë problem”, ka thënë Pendarovski pas një ligjërate në Universitetin e Tetovës.