Pendarovski në takim me Konjufcën përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

15 dhjetor 2021 | 12:40

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët e kabinetit dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu, ka pritur sot në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Takimi me presidentin maqedonas, në të cilin është diskutuar për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen reciproke në rrugën e integrimit evropian është karakterizuar nga një frymë e pajtimit të plotë mbi interesat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu janë  vlerësuar të mira marrëdhëniet e deritashme bilaterale dhe është ritheksuar gatishmëria për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve miqësore.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka falënderuar presidentin Pendarovski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në proceset eurointegruese të Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, por edhe në sfera të tjera me interes të ndërsjellë, duke konsideruar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje i kontribuon zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.

Ndërsa presidenti Pendarovski ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për liberalizimin e vizave, rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përderisa shfaqi rezerva për nisma rajonale, duke u shprehur se “Ballkani i Hapur” mund të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pakënaqësinë në referimin…