Pendarovski takohet me Talat Xhaferin dhe ministrat e Qeverisë
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur në takim kryeministrin e ri të RMV-së, Talat Xhaferin dhe ministrat e Qeverisë të sapozgjedhur.
“Është me rëndësi të veçantë që degët shtetërore të funksionojnë në mënyrë të koordinuar dhe vazhdimisht të bashkëpunojnë në dobi të qytetarëve dhe shtetit. Sot Presidenti Pendarovski organizoi pritje për nder të Qeverisë së sapozgjedhur”, shkroi Xhaferi në Facebook.
Këtë të diele, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan për qeverinë teknike e cila do të drejtohet për herë të parë nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, nga sot është futur në historinë moderne si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.
Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as opozita shqiptare.
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Duke marrë parasysh që kjo qeveri është vazhdim i qeverise paraprake, unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojë aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plotë të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare”, nënvizoi Xhaferi në hyrje të ekspozesë së qeverisjes teknike.