Martin Shkreli dënohet me shtatë vjet burgim
Martin Shkreli është dënuar të premten me shtatë vjet burgim pasi që u gjet fajtor për mashtrim të investitorëve vitin e kaluar.
Prokurorët kanë kërkuar një dënim së paku 15 vjet burgim për biznesmenin farmaceutik, ndërkaq mbrojtja e tij ka kërkuar vetëm 12 deri në 18 muaj burgim për të.
Pasaniku me prejardhje shqiptare më së shumti njihet për rastin kur kishte rritur çmimin e ilaçit “Daraprim” për pesë mijë %, për çka ishte kritikuar nga politikanët dhe opinioni publik.
Mirëpo, dënimet për mashtrim nuk kanë të bëjnë me atë episod të Shkrelit, por janë të lidhura me përfshirjen e tij me “Retrophin”, një kompani farmaceutike të cilën e kishte themeluar në vitin 2011, si dhe me dy fonde investimi me rrezikshmëri të lartë.
Në gusht, juria e kishte dënuar Shkrelin, që njihet si Pharma Bro, në tri nga tetë akuza, duke konkluduar se ai i kishte gënjyer investitorët, mes tjerash, se si fondet e investimit me rrezikshmëri të lartë menaxhoheshin, në çka ata kishin investuar dhe se sa para kishin.
Juria gjeti që ai kishte kontrolluar fshehtësish një numër të lartë të aksioneve të “Retrophinës “.
“Nuk kam qenë kurrë i motivuar nga paratë” , ka thënë Shkreli teksa i përlotur ka dhënë deklaratën e tij.
“Doja ta ngritja lartësinë dhe reputacionin tim. Jam këtu shkaku i gabimeve të neveritshme, të marra dhe neglizhente që i kam bërë”, ka thënë ai.
Pak pas dënimit të tij, avokatët e Shkrelit sugjeruan që ai nuk do të dënohej me burg. Ata bënë të ditur se ai ua kishte kthyer paratë përfundimisht investitorëve, duke nënkuptuar që nuk kishte humbje financiare.