Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi gjatë raportimit të tij nga protesta në Prizren.
“Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme. Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Ai ka theksuar se media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike.
“Bëj thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësisve dhe detyrave të tyre përkatëse”, ka shkruar Konjufca.